Ministria e Arsimit dhe Shkences. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Dosja e Ministrisë së Arsimit përfshin mikun e ministrit Arben Vitia
Në maj të vitit 2024 ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, denoncoi në Prokurori materiale në të cilat pretendohej se projekti investiv prej 5.6 milionë euro për digjitalizimin e shkollave ishte keqpërdorur.
KALLXO.com zbulon se në mesin e njerëzve që përfituan nga ky projekt është Bekim Kasumi, vëllai i gruas së Arben Vitisë.
Po ashtu, KALLXO.com zbulon se i afërmi i gruas së Arben Vitisë ka ndërtuar bashkëpunim tjetër me Ministrinë e Arsimit gjatë qeverisjes Kurti 2.
Projekti “Modernizimi i Sistemit të Edukimit përmes e-Edukimit” ishte një investim në digjitalizim të shkollave, i cili u testua por që u zhduk pasi platforma – nuk është e qasshme për Ministrinë.
Të dhënat tregojnë që MASHTI pagoi 5.6 milionë euro në llogari të kompanisë “Bit media” për projektin, ndërsa në Ministri platforma nuk funksionon pasi në MASHTI janë zhdukur kredencialet për menaxhimin e platformës.
Këto materiale ishin dorëzuar në Ministri nga përfaqësuesi i “Bit Media” për Kosovë, Bekim Kasumi, i cili nënshkroi në emër të kompanisë.
Kasumi është njeri i afërt i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitisë.
Sipas të dhënave, Kasumi ishte kontraktor i kompanisë austriake në këtë projekt dhe për kontratën ai përdori kompaninë “Bit Kosova”, në të cilën ai është aksionar 40%.
“Dr. Arben Vitia është bashkëshorti i motrës sime, Meritës” – ka konfirmuar Kasumi më 22.11.2024.
“Kur është kontraktu projekti “e-edukimi” VV-ja (Vetëvendosja) s’ka mujtë as vetit m’i ndihmu, se s’kanë pasë asnjë pushtet. Për më tepër, nga ministri Vitia dhe nga asnjë ministër tjetër nuk kam pranuar asnjëherë asnjë lloj ndihme, përkundrazi jam unë ai që me të gjitha resurset dhe mundësitë e mia i kam ofruar ndihmë shumë institucioneve, por fatkeqësisht jo gjithmonë jam kuptuar. Ndoshta më duhet të investoj në aftësitë e mia komunikuese” – ka thënë Kasumi.
Në konferencën e fundvitit për media të Ministrisë së Arsimit, më 30.12.2024, ministrja Nagavci tha se është intervistuar nga Prokuroria në lidhje me projektin.
“Unë jam ftuar për një intervistë të parë d.m.th. si personi që ka adresu këtë lëndë edhe besojmë fuqishëm që ka vend për të hetuar këtë projekt, sepse janë më shumë se 5 milionë euro të taksapaguesve të Kosovës të shpenzuar për këtë projekt” – ka thënë Nagavci.
Por, Ministria e Arsimit ka vendosur që dosjen e projektit ta mbajë larg publikut.
KALLXO.com ka kërkuar nga Ministria qasje në dokumentet e projektit për platformën “e-Edukimi”, mirëpo Ministria me një vendim ka refuzuar kërkesën me arsyetimin se lënda është nën hetime nga ana e Prokurorisë.
Ky njoftim për refuzimin është bërë disa ditë pasi KALLXO.com u ankua në Agjencinë për Privatësi dhe Informim për shkak se Ministria nuk ofroi qasje.
Në kohën kur ishte drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës (2014-2017), Arbërie Nagavci ka qenë anëtare në komitetin drejtues që e ka monitoruar projektin e platformës “e-Edukimi”.
“Si drejtoreshë e Arsimit në kryeqytet për disa muaj kam qenë e përfshirë bashkë me të tjerët, me zëvendësministrin, me zyrtarë të Ministrisë, të divizionit të vlerësimeve të komunave tjera, sipas detyrës zyrtare si pjesë e bordit. Me të përfundu detyrën time si drejtoreshë e Arsimit, d.m.th. shumë pak muaj pas angazhimit që e kam pasë, unë ma nuk kam qenë pjesë e bordit. Nuk kam pasë asnjë përfitim personal, as financiar e as tjetër, por kam qenë aty sipas detyrës zyrtare” – ka treguar Nagavci më 30.12.2024.
Bashkëpunime të reja me mikun e Arben Vitisë
Fakti që e kanë dërguar në Prokurori një projekt të implementuar nga Bekim Kasumi dhe kompania e tij nuk e ka penguar Ministrinë e Arsimit t’i hapë dyert projekteve të reja me të afërmin e gruas së Arben Vitisë.
Në vitin 2023 Kasumi me organizatën joqeveritare “Shoqata Profesionale e Informaticientëve të Kosovës” (SHPIK) nënshkroi memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Arsimit për bashkëpunim.
Kasumi pranon se kanë memorandum bashkëpunimi dhe thotë se ky bashkëpunim nuk ka kosto financiare për Ministrinë.
“Sa i përket punës së SHPIK-ut me kurrikulat e profileve të TIK për mësimin dual, jemi duke e bërë një punë kolosale, pa asnjë investim apo kompensim nga buxheti i shtetit. Kisha pasë dëshirë me pasë mundësinë me shpalosë punën tonë dhe KALLXO.com.
Sipas Kasumit, SHPIK në vitin 2022-2023 e ka implementuar një projekt të financuar nga fondet e Bashkimit Europian dhe sektori privat, nga i cili Ministria ka përfituar shërbime falas.
“Kemi bashkëpunuar, sepse dëshirojmë ta ndërtojmë vendin përmes avancimit të shkathtësive digjitale, kurrikulave të kodimit e aftësimit të mësimdhënësve, për t’i numëruar vetëm disa arsye. Të gjitha këto shërbime po i ofrojmë FALAS për mësimdhënësit. I vetmi financim publik që e kemi pasë këtë vit është nga një numër komunash për trajnimin e mësimdhënësve me kurrikilat e Code.ORG, të cilat i kemi përkthyer në gjuhën shqipe dhe ju kemi vënë të gjithë nxënësve pa pagesë në dispozicion” – ka shpjeguar Kasumi.
Edona Kutleshi-Maliqaj, zëdhënëse e Ministrisë së Arsimit, konfirmon se MASHTI nuk ka obligime në projektin dyvjeçar me SHPIK.
Edhe zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, përmes telefonit i ka thënë KALLXO.com se SHPIK nuk ka përfituar asnjë cent nga Ministria e Arsimit.
Kur u pyet se a është në dijeni për raportin që ka Bekim Kasumi me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, Kelmendi tha se nuk paraqesin interes për të lidhjet familjare të kolegëve të tij të kabinetit.
“Po kapeni për emra të përveçëm se si personi i njëjtë paska qenë përfaqësues në një kohë i atij projekti, e pastaj përfaqësues i një projekti tjetër. Na jemi përgjegjës për mandatin tonë” – është përgjigjur Kelmendi më 21.11.2024.
Kurse, ministrja Nagavci e ka mohuar se e di raportin familjar mes Kasumit e ministrit Vitia.
“Unë nuk e di mik i kujt është, unë e di që ai memorandum mirëkuptimi ka ofru më shumë mundësi për nxënësit tanë në programe të cilat janë tejet të rëndësishme siç ka qenë kodimi dhe e di që si Ministri e Arsimit nuk kemi pasë asnjë obligim financiar e asnjë favor ndaj organizatës SHPIK’” – ka thënë Nagavci më 30.12.2024.
“Debati” në “Facebook” për projektin e platformës “e-Edukimi”
Zëvendësministri Taulant Kelmendi në nëntor të vitit 2024 nisi debatin për platformën “e-Edukimi”. Ai e kishte pyetur ish-ministren e Arsimit, Hykmete Bajrami, për fatin e kredencialeve, ndërsa Bajrami ishte përgjigjur me akuzën se për këtë çështje duhej të pyetej Jusuf Thaçi e Arben Vitia. Bajrami e kishte denoncuar projektin në vitin 2020.
Në përgjigjen në këto debate, Jusuf Thaçi, ish-zëvendësministër i Arsimit nga Vetëvendosje, kishte sqaruar situatën.
Thaçi ka sqaruar se me fillimin e pandemisë në Kosovë, Ministria e Arsimit ishte interesuar se çfarë platforma apo aplikacione të mira, të lehta e të qasshme t’i kenë për përdorim për ofrimin e mësimit në distancë. Sipas Thaçit, kjo kishte qenë rruga që janë informuar për ekzistimin e platformës “e-Edukimi”.
Edhe pse u interesuan për platformën “e-Edukimi”, Thaçi kujton se nuk e kishin gjetur dosjen e projektit.
“Fatkeqësisht, askush nga stafi civil e profesional i MASHTI-t nuk ka pasur informata të sakta dhe dosje me dokumente në lidhje me këtë. Të gjendur në këtë situatë, e kemi kontaktuar kompaninë që e ka zbatuar këtë projekt dhe jemi takuar me ta në MASHTI. As kompania nuk ka qenë në gjendje që ta ofrojë dokumentacionin e plotë për këtë projekt” – ka shkruar Thaçi në “Facebook” më 18.11.2024.
KALLXO.com e ka pyetur drejtorin ekzekutiv të “Bit Media”, Stefan Düss, nëse e kanë dokumentacionin e plotë të projektit me Ministrinë e Arsimit dhe nëse ua kishte kërkuar Ministria më 2020.
Düss e ka konfirmuar se e kanë ende dokumentacionin e plotë të projektit në arkiva, mirëpo ai nuk ka mundur të gjejë ndonjë kërkesë specifike nga Ministria e Arsimit të parashtruar në vitin 2020 për ta marrë dokumentacionin e plotë të projektit.
“Ne ende e kemi dokumentacionin e plotë të projektit në arkivat tona. Sigurisht se dokumentacioni i plotë iu dërgua disa herë klientit” – është përgjigjur Düss më 22.11.2024.
Pasi nuk e kanë gjetur dosjen e projektit për platformën “e-Edukimi”, Thaçi thotë se i kanë kërkuar kompanisë që t’u sigurojë qasje në administrimin e platformës, në mënyrë që të shohin se a mund të përdoret platforma për nevoja të ofrimit të mësimit në distancë.
Me këtë rast, ai ka folur për dokumentin e datës 18.03.2020 që e publikoi në Facebook zëvendësministri Taulant Kelmendi.
“Dokumenti është dëshmi e pranim-dorëzimit të kredecialeve për administrimin e platformës e-edukimi.rks-gov.net. Qartazi dokumenti nuk ka lidhje me pranim-dorëzimin e projektit si projekt në tërësi, sepse pranim-dorëzimi i projektit ka rregulla e procedura krejt tjera. Pas analizës së platformës, e kemi parë që ajo është një platformë koti që nuk ndihmon për asgjë, pavarësisht se për të janë harxhuar mbi 5 milionë euro” – ka thënë Thaçi.
Rreth 4,5 milionë euro Thaçi kujton se ka qenë kostoja e fazës së dytë të projektit për platformën “e-Edukimi”, të cilën kosto thotë se ia kursyen Ministrisë së Arsimit në atë kohë bashkë me ish-ministren Bajrami.
“Të alarmuar se çfarë ka ndodhur me pjesën e parë të këtij projekti, unë dhe ministrja Hykmete Bajrami e kemi informuar ministrin e Financave, Besnik Bislimi (sepse me sa e di unë procedura veçse ka qenë në këtë ministri nga qeveria/të paraprake) dhe Kryeministrin Kurti në lidhje me këtë projekt dhe si pasojë e kësaj është ndalur procedura e miratimit të pjesës së dytë të projektit dhe kësisoj buxhetit të MASHTI-t i janë kursyer ato 4-5 milionë euro” – ka shtuar ai.
Thaçi ka përmendur edhe faktin që projekti për platformën “e-Edukimi” është përfunduar shumë para vitit 2020, kur Hykmete Bajrami nuk ka qenë ministre e Arsimit.
Në anën tjetër, sipas zëdhënëses së Ministrisë së Arsimit, Edona Kutleshi-Maliqaj, me të marrë mandatin ministrja Arbërie Nagavci ka kërkuar auditim të brendshëm të projektit “Modernizimi i sistemit të edukimit në Kosovë përmes e-Edukimi”.
Por, në fund projekti është audituar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).
“Ndër të tjera në raport thuhet se kredencialet e projektit nuk gjenden askund, dhe platforma është e paqasshme. Pas pranimit të këtij raporti dhe duke parë të gjitha gjetjet, kemi dorëzuar rastin në Prokurorinë Speciale, duke kërkuar nisjen e hetimeve” – ka treguar Kutleshi-Maliqaj.
Më 26.04.2024, ministrja Arbërie Nagavci ka thënë se e kanë pranuar raportin e auditimit për projektin “Modernizimi i Sistemit të Edukimit përmes e-Edukimit” nga ZKA dhe e kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës më 28.05.2024.
Çka punoi “Bit media” dhe “Bit Kosova” në projektin me Ministrinë e Arsimit?
Drejtori menaxhues i kompanisë “Bit Media” apo “eee Austria”, Stefan Düss, ka thënë për KALLXO.com se projekti me Ministrinë e Arsimit “Modernizimi i Sistemit të Edukimit përmes e-Edukimit” ka përfunduar zyrtarisht më 12.12.2017, kurse u implementua për tre vjet dhe i ofruan Ministrisë 12 muaj të tjerë mirëmbajtje dhe mbështetje të sistemit.
Sipas Düss, platforma “e-Edukimi” u përdor nga mbi 70,000 nxënës kosovarë.
“Ne e dimë se platforma ishte aktive dhe përdorej aktivisht nga më shumë se 70,000 nxënës kosovarë dhe disa mijëra mësimdhënës kosovarë në fund të vitit 2018. Pasi nuk kemi qasje në të drejtat e sistemit që nga fundi i vitit 2018, ne nuk i dimë numrat aktual]” – ka thënë Düss, më 22.11.2024.
Düss tha se disa herë kanë tentuar për bashkëpunim të mëtejshëm me Ministrinë e Arsimit, sidomos gjatë fillimit të pandemisë pasi kanë menduar se sistemi “e-Edukimi” do të ishte mbështetje e madhe në sektorin e arsimit.
“Në ato kohë të vështira, ne ofruam që t’i mbështesim falas – por u informuam se Ministria po preferon t’i menaxhojë sistemet më tej pa mbështetjen tonë” – ka treguar Düss.
Përveç mirëmbajtjes së sistemeve të projektit për 12 muaj, Düss ka treguar se në projektin “Modernizimi i Sistemit të Edukimit përmes e-Edukimit” përfshihej një e-Portal që u përdor nga më shumë se 70,000 nxënës në fund të vitit 2018. Në këtë portal kanë qenë: softueri i e-Portal, përmbajtje elektronike për TIK, kurse elektronike për aftësi në biznes, softueri i pajisjes së mësimit elektronik.
Pastaj, në projekt sipas Düss ka qenë e përfshirë “e-Matura”, e gatshme të përdoret që nga 2018. Dhe rreth 4,500 njerëz janë trajnuar, duke përfshirë mësimdhënës, autorë, udhëheqës shkolle, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit e Drejtorisë së Arsimit.
Më tej, Düss ka folur për fazën e dytë të projektit, e cila tha se nuk u zbatua pasi Qeveria e Kosovës në vitin 2018 nuk e financoi.
“Në kuadër të projektit të dytë ishte planifikuar të krijoheshin 7 qendra të mëdha testimi me rreth 4,500 kompjuterë, të cilët do të përdoreshin për provimin e Maturës dhe qëllime të tjera certifikimi. Qeveria aktuale u tërhoq zyrtarisht nga ky vit kalendarik (2018). Faza e dytë e projektit “e-Edukimi” ishte një pasim logjik i fazës së parë. Në fillim i ndërton softuerët dhe sistemet, pastaj qendrat testuese” – ka sqaruar Düss.
Düss e ka konfirmuar se kishte pasur një komitet monitorues të projektit nga Ministria e Arsimit, por nuk ka pranuar t’i tregojë emrat e anëtarëve të këtij komiteti.
Prej vitit 2014 deri më 2017, Drejtoria e Arsimit në Prishtinë udhëhiqej nga Arbërie Nagavci, e cila sipas përgjigjes së Düss ishte pjesë e komitetit që monitoroi projektin për platformën “e-Edukimi”.
“Gjatë gjithë kohëzgjatjes së projektit, projekti u monitorua nga një komitet drejtues i projektit, i përbërë nga palët e interesit jashtë Ministrisë së Arsimit si kontroll i mëtejshëm i cilësisë. Në këtë Komitet drejtues të projektit organizatat në vazhdim ishin prezent: Drejtoria Komunale e Arsimit e Prishtinës, ASHI dhe Departamenti i IT-së në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik” – ka thënë Düss.
Düss ka treguar po ashtu se kishte pasur komision për pranimin teknik të punimeve të projektit.
“Po ishte një komision. Të gjitha dërgesat e projektit u pranuan. Të gjitha dërgesat u realizuan sipas kontratës dhe të gjitha punuan mirë dhe u përdorën nga shkollat, mësuesit dhe nxënësit” – ka thënë ai.
Sa i përket projektit për platformën “e-Edukimi”, Bekim Kasumi ka treguar se “Bit Kosova” ka qenë nënkontraktuese e “Bit Media” për përkthim materialeve nga gjuha angleze në atë shqipe.
“’Bit Kosova’ ka qenë nënkontraktuese e ‘Bit Media’-s për përkthimin e materialeve nga gjuha angleze në atë shqipe dhe për mbajtjen e trajnimeve. Personalisht nuk kam pasur asnjë përgjegjësi operacionale në këtë projekt, sepse në kohën kur është implementuar projekti kam punuar diçka tjetër” – është përgjigjur Kasumi.
Kasumi ka theksuar se nuk ka pasur asnjë detyrë në projektin e Ministrisë së Arsimit dhe se Wolfgang Schaffer ka qenë drejtor ekzekutiv i “Bit Kosova”.
Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), “Bit Kosova” është e regjistruar si shoqëri aksionare, ku aksionarët janë Bekim Kasumi, “Ecdl switzerland ag” dhe “Eee group gmbh”. Kasumi ka 40% të aksioneve në “Bit Kosova”.
Pavarësisht kësaj, Kasumi e ka mohuar të ketë punuar në “Bit Kosova” ndonjëherë.
“Në kohë të Covid-it kam shprehur dëshirën me përkrahë MASHTI-në pa pagesë në zbatimin e platformës, në bashkë-koordinim me menaxhmentin e ‘Bit Media’-s, por oferta jonë nuk u pranua mirë në atë kohë, më konkretisht na u kërkua ta mbyllim llogarinë tonë të administratorit në platformën ‘e-Edukimi’” – ka thënë Kasumi.
Ndërsa, sa i përket dokumentit të datës 18.03.2020 të cilin e kishte nënshkruar Kasumi me pranim-dorëzimin e kredencialeve të administrimit të platformës ‘e-Edukimi’ nga Ministria e Arsimit, ai ka thënë se ishte autorizuar nga kompania austriake ta bënte dorëzimin e kredencialeve.
“Pas kërkesës befasuese të ministres së MASHTI-t, znj. Hykmete Bajrami, që stafi i kompanisë austriake ‘Bit Media’ të mos ketë më të drejtë administratori të sistemit dhe në pamundësi të udhëtimit të drejtorit Z. Schaffer, kompania më autorizoi mua, për ta bërë dorëzimin e kredencialeve të administratorit në mars te vitit 2020” – ka thënë Kasumi.
Kur është pyetur se a është paguar ai në kuadër të projektit “Modernizimi i Sistemit të Edukimit përmes e-Edukimit”, Kasumi ka thënë se “Bit Kosova” është paguar nga “Bit Media” për punët që i ka kryer.
KALLXO.com e ka pyetur edhe sa është paguar “Bit Kosova” nga “Bit Media”, por Kasumi ka kërkuar që për këtë të pyetet kompania austriake.
Kompania austriake nuk ka treguar po ashtu se sa është paguar “Bit Kosova”, por e ka konfirmuar se “Bit Kosova” kishte qenë e nënkontraktuar në projekt.
“’Bit Kosova’ ishte partneri ynë lokal për lokalizimin e zgjidhjeve softuerike dhe po ashtu të ndonjë dokumenti relevant. Më tej, ata gjithashtu organizuan të gjitha aktivitetet e trajnimit dhe na mbështetën në koordinimin e projektit në Kosovë” – thuhet në përgjigjen e “Bit Media” më 25.11.2024.
Sipas Kasumit, platforma “e-Edukimi” ka qenë funksionale, por Ministria e Arsimit është treguar e paaftë nga viti 2018 ta kapitalizojë këtë investim.
“Sikurse, vetëm kurrikulat moderne multimediale të TIK-ut të ishin shfrytëzuar, MASHTI deri më sot i kishte kursyer rreth 3 milionë euro për blerjen e librave. Përmbajtjet mësimore elektronike në platformën ‘e-Edukimi’ kanë fituar çmime ndërkombëtare. Të njëjtat janë në shfrytëzim në shumë vende të botës. Kodet burimore i ka blerë Kosova, të njëjtat përmbajtje mund të shfrytëzohen për aftësimin e administratës, mësimdhënësve, punëkërkuesve, nxënësve e studentëve” – është shprehur Kasumi.
Projekti tash është duke u hetuar nga Prokuroria dhe ministrja e Arsimit ka konfirmuar se prokurorët kanë lëvizur në hetimet e rastit.