DOKUMENT- Vendimi i AKA-së për kolegjin "Heimerer"

Agjencia e Kosovës për Akreditim ka përgatitur vendimin për riakreditimin e një programi të  nivelit Bachelor të kolegjit “Heimerer”.

Në vendimin e siguruar nga KALLXO.com thuhet se riakreditimi i programit është bërë për tri vite.

“Riakreditohet programi i studimit të Kolegjit “Heimerer” për periudhën tre vjeçare, 1 tetor 2020- 30 shtator 2023”, thuhet në vendim.

Programi për të cilën kishte vendosur Këshilli Shtetëror i Cilësisë në mbledhjen e 17 janarit për riakreditim është Pedagogji Profesionale/ Fusha Profesionale e Infermierisë dhe në vendim është bërë e ditur numri i studentëve që mund të regjistrohen në këtë program.

“Pedagogji profesionale/ Fusha Profesionale e Infermierisë, Bachelor, 180 ECTS, maksimumi 50 studentë për vitin akademik”, thuhet më tej.

Megjithatë, këtij kolegji nuk i është riakredituar programi Bachelor,  Shkenca Shëndetësore për Profile Diagnostike/Teknik Laboratori dhe për këtë  ka dhënë sqarime në vendim AKA-ja.

“Sa i përket programit Shkenca Shëndetësore për Profile Diagnostike, raporti i ekspertëve ndërkombëtarë të akreditimit, konstaton se ky program përmbush pjesërisht kapitujt e standareve të akreditimit. Nga gjithsej 7 kapituj të standareve të parapara në Manualin e Akreditimit, ekspertët kanë konstatuar se programi I plotëson substancliasht vetëm 3”, thuhet tutje.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në kolegjin “Heimerer” dhe është duke pritur përgjigje.

Kjo është letra e plotë:

Vendimi për riakreditimin e këtij programi ishte bërë në mbledhjen e 17 janarit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Këtë mbledhje e kishin lëshuar, tre anëtarët e KShC-së, Rozafa Koliqi-Rugova, Dukagjin Zeka dhe Arta Jakupi.

Ata nuk pajtoheshin me procedurat e përshpejtuara për akreditimin e disa programeve të kolegjeve.

Kështu, aprovimi i këtyre programeve kishte mbetur në dorën e tre ndërkombëtarëve dhe dy anëtarëve vendor të KShC-së: Kreytari, Gazmend Luboteni, nënkryetarja Vjollca Krasniqi dhe ndërkombëtarët Magdalena Ziolo, Herbert K. Amato dhe Jeffery Butel.