Drjetoresha e Arsimit të Gjakovës, Eranda Kumanova-Baçi në Komisionin Hetimor parlamentar, Foto: KALLXO.com

DKA Gjakovë: Në javën e parë të shtatorit i kemi pasur 20% të nxënësve të pajisur me tekste shkollore

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Gjakovës, Eranda Kumanova-Baçi në cilësinë e dëshmitares është intervistuar nga Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore për nxënësit e Arsimit Fillor dhe të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024.

Gjatë intervistimit të drejtoreshës në Komisionin Hetimor Parlamentar, ajo deklaroi se në javën e parë të shtatorit të vitit 2023, vetëm 20% të nxënësve në Gjakovë i kanë pasur të pajisur me tekste shkollore.

“Në javën e parë të shtatorit 2023 ne kemi pas vetëm 20% të pajisur me tekste shkollore… Deri në fund të muajit shtator, kemi pasur diku 35-40% të pajisur me tekste shkollore” – ka treguar drejtoresha Kumanova-Baçi.

Sipas drejtoreshës Kumanova-Baçi, në vitin shkollor 2023/2024 i kanë pasur të regjistruar 1,050 nxënës të klasave 1 deri 9 në Gjakovë.

Drejtoresha Kumanova-Baçi ka treguar se vetëm dy librari në komunën e Gjakovës kanë qenë pothuajse të furnizuara me të gjitha tekstet shkollore të të gjitha shtëpive botuese.

“Nga 6 libraritë që punojnë në Gjakovë, vetëm 2 librari janë furnizuar me të gjitha tekstet shkollore dhe ato dy nuk i kanë pasë të gjitha tekstet e shtëpive botuese” – ka thënë Kumanova-Baçi.

Si rrjedhojë, ajo tha se prindërit në Gjakovë është dashur t’i blejnë tekstet shkollore në libraritë e komunave tjera.

Ajo ka njoftuar se 64 fëmijë të komuniteti rom, ashkali, egjiptian janë ankuar në Drejtorinë e Arsimit në Gjakovë për shkak se nuk ishin pajisur me tekste shkollore.

Për këta fëmijë të komuniteti që janë ankuar, Kumanova-Baçi njoftoi se është zgjidhur problemi pasi i kanë informuar Ministrinë e Arsimit për ankesat e tyre.

Sa i përket subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore, Kumanova-Baçi tha se 40% e prindërve kanë pasur probleme në aplikimin online në platformën e-Kosova për subvencionimin.

“Sipas raporteve të shkollave, gjatë aplikimit deri 40% e prindërve kanë pasur probleme… Ne ju kemi kërku drejtorëve të shkollave dhe profesorëve të TIK-ut të ju ndihmojnë (për të aplikuar për subvencionim të blerjes së teksteve shkollore)” – ka thënë ajo.

Sipas drejtoreshës Kumanova-Baçi, prindërit në Gjakovë kanë bërë përzgjedhjen e teksteve shkollore sipas dëshirës së tyre dhe kjo ka sjell probleme te shkollat.

Po ashtu, drejtoresha Kumanova-Baçi ka shtuar se ka pasur prindër që i kanë keqpërdorur mjetet që i kanë marrë nga subvencionimi për blerjen e teksteve shkollore.

“Në vitin shkollor 2023/2024 ka mbaru viti, për shkak se unë e kam një raport nga të gjitha shkollat, sa fëmijë, sa nxënës nuk kanë pas ende libra… Këtë vit, ka përfundu viti, ndoshta pa tekste shkollore, për disa fëmijë” – ka njoftuar drejtoresha Kumanova-Baçi.

Tutje, drejtoresha Kumanova-Baçi ka deklaruar se nuk mund të thonë që nxënësit në Gjakovë 100% kanë qenë të furnizuar me tekste shkollore.

“Ka nxënës në përfundim të vitit të pasubvencionuar” – ka shtuar ajo.

Kur është pyetur nga Komisioni Hetimor Parlamentar se a ka pasur stoqe të librave të përdorur, ajo ka thënë se nuk e ka këtë informatë.

“Nuk ka pas raport për tekste të dëmtuara, por ka pasur raport për tekste të plotësuara” – ka thënë Kumanova-Baçi.

Komisioni Hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore përbëhet nga: Shemsedin Dreshaj (kryesues), Ardian Kastrati (zëvendëskryesues) dhe anëtarët – Armend Muja, Arjeta Fejza, Mefail Bajqinovci, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, Arbër Rexhaj, Bekim Haxhiu, Vlora Dumoshi, Agim Veliu, Duda Balje.

Të pranishëm në intervistimin e drejtoreshës Kumanova-Baçi nga fillimi ishin: Shemsedin Dreshaj, Ardian Kastrati, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, Agim Veliu, Arjeta Fejza, Arbër Rexhaj dhe Mefail Bajqinovci, pastaj u është bashkuar edhe Armend Muja.

Pas drejtoreshës Kumanova-Baçi në Komisionin Hetimor parlamentar, u intervistua edhe drejtoresha e Arsimit në Gjilan, Albana Demiri.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci më 21.08.2023 kishte mbajtur një konferencë për media ku kishte treguar se po e shqyrtojnë mundësinë që paratë për blerjen e librave për vitin e ri shkollor t’ua transferojnë drejtpërdrejt prindërve përmes platformës e-Kosova me qëllim të rritjes së transparencës për shpenzimin e parasë publike.