Dezinfektues, distancë dhe higjienë të shtuar, shkollat e Prishtinës përgatiten për fillimin e vitit shkollor

Kur ende po pritet një vendim përfundimtar për datën e fillimit të vitit të ri shkollor, shkollat kanë pasur barrën e përgatitjes së infrastrukturës për mbajtjen e mësimit fizikisht në kushte pandemie.

14 shtatori është data përfundimtare që Ministria e Arsimit dhe Shkencës e ka përmendur për fillimin e vitit të ri shkollor, por sot do të vendoset përfundimisht në lidhje me këtë çështje.

Në prag të kësaj date, shumica e shkollave fillore të Prishtinës kanë filluar përgatitjet për pritjen e nxënësve në bankat shkollore.

KALLXO.com ka vizituar 5 prej shkollave të kryeqytetit, në të cilat kanë qenë të vendosura posterë vetëdijësues për mbrojtje nga virusi COVID-19.

Bankat e klasave në këto shkolla janë të ndara me distancë të përcaktuar si dhe ka dezinfektues në hyrje të çdo klase.

Në hyrjen e  Shkollës Fillore  “Hasan Prishtina”  janë bërë disa shenja, në mënyrë që nxënësit të mbajnë distancën, para se të fillojë mësimi.

Në këtë shkollë po ashtu nuk mungojnë as mesazhet për mbajtjen e distancës prej 2 metra.

Përgatitje për mikpritjen e nxënësve në bankat shkollore ka bërë edhe Shkolla  “Qamil Batalli”, që përveç pastërtisë, dezinfektimit e mesazheve vetëdijësuese për COVID-19, ata kanë vendosur edhe tekstet shkollore në bankën e secilit nxënës.

Edhe shkolla “Dardania” në hyrje të saj ka vendosur shenja në mënyrë që nxënësit të mbajnë distancë para se të fillojë mësimi.

Shkolla “Faik Konica” është kujdesur që të sigurojë edhe një tunel dezinfektues në hyrje të shkollës, përveç pikave të vendosura të ndara prej 2 metra e me mesazhe vetëdijësuese për mbrojtjen nga COVID-19.

 

Kjo shkollë ka përgatitur edhe listën e pastrimit të tualeteve në dy orare  çdo një orë.

Edhe në shkollat “Ismail Qemali”, “Xhemajl Mustafa” dhe “Pjetër Bogdani” janë bërë të gjitha përgatitjet e kërkuara nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, sipas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndëtsisë publike për luftimin e COVID-19.

Sipas propozimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, më datën 14 shtator është paraparë të fillojnë mësimin klasat  0-6 dhe klasa e 10, kurse për klasat 4 dhe 5 që fillojnë po ashtu më 14 shtator, u është lënë drejtorive komunale të vendosin se në çfarë forme do të zhvillojnë mësimin në shkolla apo nga distanca.

Ndërsa, në fazën e dytë më 21 shtator, mësimin do ta fillojnë klasat 7-12 në formë të kombinuar, dy ditë në shkollë dhe tri ditë nga distanca.

Dje, edhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ka bërë të ditur se në bazë të informacioneve nga terreni të gjitha shkollat kanë bërë përgatitjet e duhura për fillimin e mësimit.

Viti i ri shkollor është dashur të fillojë më 1 shtator, por është shtyrë, siç është thënë nga Ministria e Arsimit, me qëllim të sigurimit të kushteve të sigurta për fëmijët, mësimdhënësit dhe prindërit.

Në udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), për ruajtje të shëndetit të nxënësve në shkolla, thuhet se shkolla duhet të sigurojë që të respektohet distanca e caktuar e sigurisë të paktën 1.5 metra, secilit nxënës si dhe personelit të shkollës duhet t’i bëhet matja e temperaturës përmes termometrit laserik çdo ditë.

Po ashtu, Ministria e Arsimit ka paraparë edhe testimin e 1500 mësimdhënësve për COVID-19, para se të fillojë mësimi.