Dështon dhënia me qira e çerdheve publike në Ferizaj – Qeverisja lokale nuk siguron koorumin
Në seancën e Kuvendit Komunal të Ferizajt, më datë 30.08.2024 u propozua dhënia në shfrytëzim afatshkurtë e objekteve të çerdheve.
Derisa drejtori komunal i Arsimit, Afrim Llabjani ishte duke dhënë sqarime për propozimin, salla u lëshua nga opozita (LVV, LDK dhe RDF) por edhe nga disa asamblistë të koalicionit qeverisës në Komunën e Ferizajt, PDK-AAK-NISMA-Ne Mundemi.
Disa asamblistë të PDK-së lëshuan sallën si dhe disa të tjerë të kësaj partie dhe AAK-së munguan në seancë.
Me rastin e largimit të asamblistëve nga salla u pamundësua edhe koorumi për shkak se në sallë mbetën vetëm 19 asamblistë, me ç’rast ky Kuvend mori pauzë. Por edhe pas kthimit nga pauza nuk pati kuorum në sallë në mënyrë që kjo pikë e rendit të ditës të votohej.
DKA pati propozuar që pesë objekte të çerdheve në Ferizaj të lëshohen me qira. Parashihej që 100 euro të jetë qiraja për secilin objekt.
Në dokumentin e DKA-së thuhet se: “Qëllimi i dhënies në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të Komunës është rritja e përfshirjes sa më të madhe të fëmijëve në kopshte duke u bazuar edhe në Ligjin për Edukimin e Hershëm nr. 09/L-153, neni 12 dhe 13, si dhe zvogëlimi i shpenzimeve të Komunës për blerjen e shërbimeve për këtë qëllim”.
Propozohej që këto objekte të jepen në shfrytëzim për 15 vjet, përmes ankandit.
Pas kthimit në sallë, megjithë mungesën e koorumit, drejtori i DKA-së Afrim Llabjani mori fjalën.
Ai tha se po befasohet nga asamblistët që lëshuan sallën.
“Kanë munden me dhanë alternativa, propozime tjera dhe me gjetë zgjidhje që çerdhet me u funksionalizu” – deklaroi mes tjerash Llabjani.
Kjo pikë e rendit të ditës dështoi edhe në seancën e muajit korrik të Kuvendit Komunal të Ferizajt, për shkak të mungesës së kuorumit, derisa pritet të diskutohet edhe në seancën e muajit shtator.