COVID-19, Gjimnazi ‘Ahmet Gashi’ në Prishtinë kalon në mësim online

17 nxënës, gjashtë mesimdhënës dhe një punëtorë Teknik kanë rezultuar pozitiv me COVID-19 në Gjimnazin e shkencave shoqërore ‘Ahmet Gashi’ në kryeqytet, për këtë arsye shkolla do të filloj të zhvilloj mësimin sipas skenarit C, mësimit online.

Kjo është bërë e ditur përmes një shkrimi në facebook në ueb faqen e shkollës.

Njoftimi i shkollës:

Të dashur nxënës e të respektuar prindër e mësimdhënës!

Kosova po kalon një situatë jo të lehtë për shkak të pandemisë,ashtu si e tërë bota,prandaj edhe sistemi i arsimit ka pengesa në përmbushjen e standardeve të mësimdhënies dhe mësimnxënies,gjegjësisht në përmbushjen e rezultateve të dëshiruara.

Edhe shkolla jonë po kalon nëpër të njëjtat vështërësi,mirëpo udhëheqja e shkollës,personeli arsimor dhe stafi teknik po mundohemi të bëjmë më të mirën e mundshme për t’a zhvilluar procesin mësimor.

Pas testimit që iu ka bërë disa klasëve dhe personelit mësimor e teknik, me COVID-19 pozitiv kanë rezultuar 17 nxënës, 6 mësimdhënës dhe 1 punëtor teknik.

Me rekomandimin e IKSHP-së , shkolla jonë kalon nga Skenari A në Skenarin C dhe nga data 30.10.2020 deri me datën 13.11.2020 mban mësim në distancë (online).

Mësimi online për nxënës do të organizohet nga shkolla. Ora mësimore zgjat 40 minuta.

– Ndërrimi i parë fillon mësimin në ora 8:00 dhe mbaron në ora 12:30 ;

– Ndërrimi i dytë fillon mësimin në ora 13:00 dhe mbaron në ora 17:30.

Kujdestarët e klasëve do t’ua dërgojnë klasëve të tyre kodet dhe fjalekalimet për kyqje në platformën Zoom.

Të gjithë nxënësit janë të obliguar që të qasen në mësim sipas orarit mësimor.

Nxënësit evidentohen nga mësimdhënësit!

Sot në nivel vendi janë regjistruar 418 raste të infektimit me COVID-19.

Numri total i rasteve pozitive është 19.328 raste nga 92.706 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 678 raste të vdekjes.