Cilësia e arsimit në vend lë shumë për të dëshiruar

Nga një sistem paralel i shkollave në shtëpi i organizuar me shumë lavdata, paslufta, Kosovës i dha mundësi të shumta për ndërtimin e sistemit arsimor në liri.

Njëra nga kompetencat e para që ndërkombëtarët ua dhanë qeveritarëve tanë ishte organizimi i sistemit arsimor.

U themelua ministria, u emëruan ministra e drejtorë komunal, dhe bashkë me ta edhe tenderët dhe mundësitë për përfitime punësime politike e favore në pozita.

Si rezultat i keqmenaxhimit të arsimit, 23 vite pasluftës Kosova është në fund të listës së PISA-s.

Ndërsa Kosova ende nuk e ka asnjë shkollë me mësim gjithë ditor, ende diskutohet për dobësitë e teksteve shkollore, mësimi ende mbahet me shkumës dhe dërrasë të zezë, e në shumë shkolla mësimi mbahet me dy e diku diku edhe me tre ndërrime.

Qeveria Kurti erdhi në pushtet me shumë premtime.

Albin Kurti premtoi rishikim të sistemit arsimor, biblioteka në secilën shkollë, premtoi 160 çerdhe, digjitalizim të shkollave, sistem vlerësimi të nxënësve por edhe të mësuesve, premtoi banim për mësuesit e ushqim për nxënësit.

Dy vite më pas s’ka rishikim të teksteve shkollore, s’ka biblioteka, është nis ndërtimi i vetëm 6 çerdheve, testi i maturës sërish u keqpërdor online, e s’ka as bukë për nxënësit.

Për këtë është diskutuar në emisionin ‘KallxoPërnime’.

Valdrin Dervishaj, këshilltar i ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se nuk janë vetëm 6 por 23 çerdhe që janë në ndërtim e sipër.

“Janë 6 me fondet e IPA-së, të cilat janë në proces dhe jemi në dizajnim të një projekti me Bankën Botërore për intervenim në këtë fushë dhe po ashtu jemi në zhvillim të një procesi të një analize të kësaj natyre, sepse në të kaluarën investimet janë bërë të paplanifikuara”, ka thënë Dervishaj.

Ai ka shtuar se që nga 2003 janë ndërtuar 199 shkolla, por vetëm 8 çerdhe në nivel vendi.

Dervishaj ka thënë që premtimi i Kurtit për ndërtimin e 160 çerdheve do të realizohet.

“Fillimisht e kemi bërë një studim bashkë me UNICEF-in, për të parë opsionet më të mira të cilat mund të jenë edhe më të shpejta por edhe efikase në raport me investimin që e kemi bërë”, ka thënë Dervishaj

Për 20 vjet Podujeva ka pasur vetëm një çerdhe publike

Drejtori i Arsimit në komunën e Podujevës Avni Fetahu ka thënë se që 20 vjet kjo komunë ka pasur vetëm një çerdhe publike.

Fetahu ka shtuar se vitin e kaluar, kjo komunë ka përuruar një çerdhe.

“Kjo çerdhe është bërë me financim të komunës ndërsa pikërisht në ditën e sotme, kompania që është zgjedhur për kryerjen e punëve, sot e ka bërë piketimin e një çerdheje të re që fillon së ndërtuari këtë vit. Por edhe në fshatin batllavë ku gërshetohen shumë fshatra është e planifikuar të ndërtohet një çerdhe e re”, ka thënë Fetahu.

Fetahu ka shtuar se nga 40 objekte që janë në Komunën e Podujevës 9 prej tyre i mundësojnë adoptimin e një pjese në çerdhe. Këto objekte janë shkolla fillore.

“Këto objekte kanë hapësirë, një kohë kanë punuar me dy ndërrime, ka që 5 vite që punojnë veç me një ndërrim dhe dita ditës qysh është t`u ra numri i nxënësve, kanë krijuar hapësirë të mjaftueshme për çerdhe”, ka thënë Fetahu.

Valdrin Dervishaj, këshilltar i ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, ka shtuar se pjesa e ndërtimit të 160 çerdheve nuk përfshinë vetëm të reja por edhe adoptimin e tyre.

“Kemi 5 adoptime në krejt Kosovën, shumicën e rasteve komunat kanë pasur vështirësi në identifikimin e parcelave ku mund të ndërtohet shkolla. Por ne nuk mund t`i adoptojmë ato shkolla të cilat janë të zbrazta, ndonëse i gjithë koncentrimi është në komunat e mëdha, siç është Fushë Kosova, Prishtina, etj”, ka thënë Dervishaj.

Ai është sfiduar që ta tërheq fjalën për realizimin e premtimit të 160 çerdheve megjithatë Sipas Derivishajt kjo është lehtë e realizueshme.

“Kam qenë afër me ekipin planifikues dhe e kam pa se ka mundësi që të identifikohen hapësirat të cilat janë objekte shkollore dhe të cilat mund të konvertohen e një pjesë tjetër të zgjedhim opsionin e ndërtimeve të çerdheve të reja”, ka thënë Dervishaj.

Jonuz Salihaj, ekspert i arsimit, ka komentuar objektivat e qeverisë Kurti.

Ai në emisionin #KallxoPernime, ka thënë se në Kosovë entuziazmi është vetëm gjatë fushatës zgjedhore.

“Ne s’kemi krijuar një kulturë që të merr përgjegjësi dikush për premtimet që nuk realizohen, qoftë bile morale”, ka thënë Salihaj.

Salihaj ka thënë se është dashur që të studiohet situata se a kemi nevojë për gjithë ato çerdhe, pasi sipas tij Kosova s’ka nevojë për gjithë ato çerdhe marr parasysh natalitetin.

“Nëse bëjnë çerdhe si ‘Yllka’, që e kam bërë sa kam qenë drejtor i Arsimit në Komunën e Prishtinës, 100 sosh, atëherë aty do të përfshihen krejt fëmijët. Këta po i numrojnë edhe çerdhet që diku një klasë në ndonjë shkollë fillore, dhe pe numrojnë në statistikë si çerdhe”, ka shtuar ai.

Ndërsa përfaqësuesi i ministrisë së Arsimit, Valdrin Dervishaj i është kundërpërgjigjur Salihajt duke thënë se nuk mund të ndërtohen objekte kaq të mëdha në qendër pasi që kjo e ngulfat qytetin.

Ndërsa nga Instituti EdGuard, Arbisa Shefkiu, ka thënë se janë vetëm 10 çerdhe në gjithë zonat rurale të Kosovës.

“Duhet të koncentrohet më shumë edhe qeveria por edhe komunat në zonat rurale, ku ka nxënës”, ka thënë Arbisa Shefkiu nga Instituti EdGuard.

Dervishaj ka thënë që prandaj janë duke i bërë analizat se ku ka nevojë të ndërtohet.

“Edukimin parafillor e kemi përfshirë tash 85%, e cila do të bëhet obligative”, ka thënë Dervishaj.

Ndërsa Jonuzaj ka insistuar se me patjetër Kosova duhet ta bëj obligative shkollimin e fëmijëve 0-5 vjeç.

“Nëse ja siguron çerdhen n’fshat, ja çon edukatoren dhe fshatari nuk paguan, ka me e çu fëmijën por që varet edhe sa atraktiv është mësimi aty.

Myzafer Shala, nga PDK-ja që është edhe ligjërues në UP, ka thënë se bota tashmë është në versionin e edukimit që njihet si 4.0, ku është e përfshirë shumë teknologjia.

Shala ka shtuar se edhe Covidi e ka përshpejtuar hala më shumë këtë version.

“Bota është duke kaluar në versionin 5.0, ku tash për shkak të teknologjisë, duhet  të rritet bashkëpunimi mes mësimdhënësve dhe nxënësve. Të rinjtë sot janë më të informuar dhe dinë mu shpreh, e kanë guximin më të madh m`u shpreh sesa ne që e kemi pas”, ka thënë Shala.

Shala më tej ka thënë se vendi jonë nuk e ka një dinamikë duhet me hy në frekuencë me zhvillimin e metodologjisë së mësimdhënies në mbarë botën e zhvilluar.

“Ne i kemi pasojat e keq menaxhimit të arsimit edhe në kohën e Covidit. Kemi problem me gradimin e mësimdhënësve, që ish dashur të behet përmes institucioneve kredibile që duhet me e ba këtë gradim dhe me ec përpara. Ekziston ligji por s’po zbatohet”, ka thënë Shala.

Shala ka shtuar gjithashtu që krahas këtyre versioneve që është duke i përdor bota, 4.0 dhe 5.0, Kosova duhet të investoj në teknologji.

“Duhet me pas trajnime të vazhdueshme të mësimdhënësve që me mujt me inkorporu dhe të kthehet besimi në institucionet e arsimit”, ka thënë Shala.

Shala ka shtuar se si PDK, janë duke punuar që kur të vijnë në pushtet t`i adrejsojnë të gjitha këto probleme.

Vetëm 776 mësimdhënës janë vlerësuar për performancë

Arbisa Shefkiu nga Instituti EdGuard në emisionin #KallxoPernime ka thënë se fajtore për cilësinë e arsimit në Kosovë janë komunat dhe Ministria e Arsimit.

Ajo ka shtuar se këto institucione kanë kompetenca të mëdha për përmirësimin e cilësisë në arsim.

“Drejtoria e arsimit dhe legjislacioni e parasheh që komunat e kanë kompetencën me menaxhimin e arsimit andaj i lë bashkëfajtore me MASHTI-n”, ka thënë Shefkiu.

Sa për vlerësimin e mësimdhënësve që ende nuk është bërë, Shefkiu ka thënë se mungon përgjegjësia dhe vullneti për të filluar me një proces të tillë.

“Ka mungu iniciativa dhe përgjegjësia për me e bo një veprim të tillë. Por mbase edhe udhëzimi nuk ka qenë aq i qartë se cilat janë kompetencat e inspektoratit e cilat të secilit institucion”, ka shtuar Shefkiu

Valdrin Dervishaj, këshilltar i ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se në të kaluarën është bërë vlerësimi i vetëm 776 mësimdhënësve në nivel vendi, që në krejt Kosovën llogariten rreth 24 mijë mësimdhënës.

Sipas tij ky vlerësim ka qenë i dëmshëm.

“Kjo ka qenë përgjegjësi e inspektoratit por, s’kanë pas kapacitete. Ne tash jemi duke e shikuar legjislacionin e vlerësimit të performancës së mësimdhënësve, janë 5 udhëzime të ndryshme”, ka thënë Dervishaj.

Ligji për profesionet e rregulluara parasheh provimin e profesionit.

“Gjikund në vendet perendimore parashihet ky provim për secilin profesion. Ideja e këtij provimi është që të konfirmohet se janë arrit ato rezultate të pritshme në kuadër të zhvillimit fillestar por edhe të përvojës së punës të mësimdhënësit në fakultete të ndryshme”, ka thënë Dervishaj.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Podujevës, Avni Fetahu ka folur edhe për udhëzimin për licencim dhe vlerësim të mësimdhënësve që është në diskutim publik.

“Në këtë udhëzim parashihen që ata mësimdhënës që janë inkuadruar në marrëdhënie pune, nuk e kanë obligim patjetër por nëse dojnë ta marrin licencën e avansuar duhet ti ndjekin 200 orë trajnim dhe duhet t`i nënshtrohen një provimi”, ka thënë Fetahu.

Këtë trajnim me 200 orë i mban një komision i licencuar nga Ministria.

Myzafer Shala, nga PDK-ja që është edhe ligjërues në UP, ka folur edhe për programet që kanë kolegjet private.

Ai ka thënë se ato janë institucione të akredituara ndërsa sipas tij akreditimi ka qenë një proces shumë i shëndetshëm që ka ndodhur në Kosovë.

“Unë djalin tim e kam në institucion privat dhe nëse na dëgjon sot që na po thojna që institucionet private janë tmerr, duhet t`i ndajmë pra, duhet të jemi të kujdesshëm për shkak se ka programe në Kosovë shumë cilësore, ka përmirësim të institucioneve private qysh ka edhe të atyre publike”, ka thënë Shala.

 

Mësimi gjithë ditor, i pasuksesshëm

Këshilltari i ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, Valdrin Dervishaj ka thënë se në të kaluarën është provuar mësimi gjithë ditor por që nuk ka qenë i suksesshëm.

“Kanë qenë disa komponenta pse s’ka funksionu, shujtat, planprogrami”, ka thënë Dervishaj.

 

5 milionë euro janë ndarë për shujtat e nxënësve

Valdrin Dervishaj, këshilltar i ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, në emisionin #KallxoPernime, ku u diskutua cilësia e arsimit në Kosovë, ka thënë se janë ndarë 5 milionë euro për shujta të nxënësve.

Ai ka shtuar se tash ju takon komunave të fillojnë me shpërndarjen e këtyre shujtave, pasi që këto mjete shkojnë si pjesë e buxhetit të përgjithshëm të komunës.

“Nuk mund të zbatohet nga niveli qendror, por nga ai komunal”, ka thënë Dervishaj.

Ndërsa drejtori i Arsimit në Komunën e Podujevës, Avni Fetahu ka thënë se kjo komunë ka filluar me shujta që nga 2021-ta.

“Kemi fillu me kifle të gjitha shkollat në krejt komunën, krejt komunat e kanë pas këtë mundësi por se di pse nuk e kanë shfrytëzuar, buxheti ju figuron”, ka thënë Fetahu.

Fetahu ka shtuar se planifikohet që në bazë të ngritjes së buxhetit do të futet edhe qumështi e pemët.

Ndërsa Myzafer Shala nga PDK-ja ka thënë se në gjithë vendin këto 5 milionë euro i bie 50 cent për nxënës.

“Minimumi sot nëse dojna me hangër shëndetshëm, nuk mund të haj fëmija 5 ditë në javë kifle”, ka thënë Shala.

Ndërsa këshilltari i ministres së Arsimit, Dervishaj tha se ministria ka obligim që të alokoj mjetet, realizimin apo modelin e realizimit e bëjnë komunat.

“Ne ia kemi dhënë udhëzuesin për mirëushqyerje”, ka thënë Dervishaj.

Myzafer Shala nga PDK-ja, tha që problem tjetër është edhe shujta për mësimdhënës.

“Ky problem ka qenë edhe më herët nuk po ia atribuoj kësaj qeverie. Nuk ka pasur një zgjidhje e cila e bën zgjidhjen e këtij problemi por është dashur të shkohet me përmbarues”, ka thënë Shala.

Sipas Shalës problemet ka mirëpo këto duhet t`i zgjidh qeveria.

“Ke problemi i grevës nuk u zgjidh se t`u ka shty mësimi deri n’gusht, pra nuk është sipas kalendarit mësimor. U pajtova që s’është veç faji juaj por duhet të adresohet si problem. Sa i përket shujtave të mësimdhënësve dhe nxënësve, nën 3.5 euro, është pak”, ka thënë më tej Shala.

Ai ka llogaritur që me këtë çmim për shujtë vendit i dihet të ndaj 12-13 milionë euro në vit.

Vetëm 4-5 komuna në Kosovë kanë shujta për nxënës.

Drejtori i arsimit në Komunën e Podujevës ka thënë se për ta realizuar shujtën për nxënës, komunave u duhet vetëm ta caktojnë një menaxher kontrate, pasi që kontrata është e lidhur.