Foto: Bujar Dugolli, Facebook

Bujar Dugolli reagon ndaj akuzave të ORCA-s për plagjiaturë

Bujar Dugolli, profesor në Universitetin e Prishtinës, ka reaguar ndaj akuzave të organizatës për rritjen e cilësisë në arsim ORCA  për plagjiaturë në një punim ku bashkautor kishte edhe profesorin Ardian Kastrati.

ORCA deklaroi se ka pranuar një denoncim anonim për plagjiaturë në punimin ‘Diplomacy Through the Ages of Histori: Theorotical Analysis of the Concept”, me autorë Ardian Kastrati dhe Bujar Dugolli, i publikuar në vitin 2017.

Dugolli përmes një deklarate në rrjetin Facebook ka thënë se artikulli është botuar kur Kastrati ishte asistent në Fakultetin Filozofik dhe nuk ka qenë pjesë e politikës.

Ai tutje shtoi se ekzistojnë të gjitha korrespodencat me revistën që dëshmojnë se janë përfillur kriteret profesionale dhe metodologjike, përfshirë standardet e citimit.

Ish-dekani i Fakultetit Filozofik tutje theksoi se artikulli i është nënshtruar rregullave të recensionit të fshehtë dhe sistemit të antiplagjiaturës.

Dugolli ka potencuar se punimi për të cilin u akuzua nga ORCA trajton fenomene që praktikohen gjerësisht në punime shkencore dhe shumë njerëz bëhen lehtë pre e emaileve anonime.

Dugolli për fund theksoi se e kupton pse sulmohet Ardian Kastrati por sulmet ndaj tij i sheh si të pakuptimta.

Më poshtë gjeni reagimin e plotë të Bujar Dugollit:

“Reagim ndaj Organizatës ORCA
Sot, përmes mediave jam njoftuar në lidhje me një aktivitet të organizatës ORCA, në të cilën është lajthitur edhe emri im. Bëhet fjalë për një artikull shkencor, i botuar para katër vitesh, në bashkautorësi me z. Ardian Kastrati, sipas të gjitha kërkesave dhe standardeve të parashikuara dhe të aplikuara nga redaksia e revistës, e cila është revistë kredibile dhe e indeksuar ndërkombëtarësh në platformën me kredibile shkencore, Scopus.
Në kohën kur ky artikull ishte botuar, z. Kastrati ishte asistent në Fakultetin Filozofik dhe nuk ishte pjesë e politikës dhe as debateve politike që ndodhin sot, lidhur me raportet pozitë-opozitë. Ekzistojnë të gjitha korrespondencat me revistën që dëshmojnë se ne i kemi përfillë të gjitha kriteret profesionale dhe metodologjike dhe standardet e citimit, siç i aplikon revista në fjalë.
Artikulli i është nënshtruar rregullave të recensionit të fshehtë dhe është futur në sistemin e antiplagjiaturës, siç e aplikon revista në fjalë, prandaj miratimi i botimit është dhënë vetëm pasi janë plotësuar kriteret profesionale të kërkuara nga redaksia dhe recensentët ndërkombëtarë.
Punimi “Diplomacy through the ages of history: Theoretical analyses of the concept” trajton fenomene, koncepte dhe baza teorike të cilat gjerësisht praktikohen në punime shkencore dhe si të tilla ato lehtë gjinden edhe në punime të ngjashme që trajtojnë fenomenin e diplomacisë, gjatë historisë, prandaj studentët dhe praktikantët e organizatës ORCA dhe jo vetëm, nuk duhet të bijnë pre e e-maileve anonime, por duhet ta kuptojnë se termet dhe konceptet e tilla, që lidhen me diplomacinë, politikën e jashtme dhe përvojat diplomatike historike ndërkombëtare, do të jenë objekt i trajtimit të vazhdueshëm nga studiuesit e rinj, pa pasur mundësinë e kapërcimit të këtyre termave, koncepteve dhe bazave teorike.
Ky artikull, krahas dhjetëra artikujve të tjerë, është pjesë e CV-së time, poashtu edhe shumë libra të tjera, nuk ka qenë dhe nuk është përcaktuese për thirrjen time aktuale akademike, por është produkt i punës së vazhdueshme, tash e njëzetenjë vite në Universitetin e Prishtinës.
Bashkautorësia e punës profesionale dhe shkencore është vlerë, pasi afron pikëpamje të ndryshme rreth ideve teorike që trajtohen, por ato nuk mund të mbesin peng i pozicionimeve të ndryshme që ndërkohë mund të marrin njerëzit, ne jetën akademike e politike.
Sulmet kundër Ardian Kastratit, i kuptoj pse ndodhin, por përpjekja për të më sulmuar dhe për të njollosur emrin tim, janë të pakuptimta dhe të papranueshme, por do të punojmë për t’i sqaruar të gjitha”.