Tabela e fshatit Prapashticë | Foto: KALLXO.com

Braktisja e fshatit nga banorët zbrazë shkollën e fshatit Prapashticë - VIDEO

Me vetëm 4 nxënës në klasë zhvillohet ora mësimore në shkollën e fshatit Prapashticë “Dëshmorët 1921” të Prishtinës.

Ky fshat që më shumë ka vila të ndërtuara se sa shtëpi të banuara, është kthyer në një vend vetëm për pushime.

Zhvendosja e banorëve nga fshati në qytet ka bërë që ndikimi të vërehet edhe në shkollë.

Shkolla e këtij fshati piktoresk ka vetëm 22 nxënës aktualisht, ndërsa vitin e kaluar është mbyllur një paralele për shkak të numrit të vogël të nxënësve.

“Në shkollën tonë aktualisht funksionon klasa 1 deri në 9, por të gjitha klasat janë me nga një paralele. Vitin e kaluar, ne fatkeqësisht e kemi pasur edhe një paralele të ndarë në Balaj, por në mungesë të nxënësve është bërë mbyllja e asaj paralele dhe gjithë nxënësit janë risistemuar për të mësuar këtu tek ne”, thotë për KALLXO.com drejtori i shkollës, Fatmir Zhdrella.

Zhdrella thotë se gjatë dy viteve të fundit nga kjo shkollë janë larguar 12 nxënës për shkak të migrimit.

“Fillimisht këto dy vitet ka ndodhur një migrim i madh. Në përgjithësi vetëm nga shkolla janë larguar apo migruar me familjet e tyre, 12 nxënës në qytet ku sot ata jetojnë dhe ky numër thuajse vit për vit fillon të bie”, thotë më tej Zhdrella.

Rënia e numrit të nxënësve në këtë shkollë është shqetësuese edhe për mësimdhënësen, Njomza Bekaj.

“Për shkak kushteve më të mira në qytet ata edhe kanë emigruar dhe kanë shkuar. Stagnimi më kryesor mundet me qenë shoqërimi më i paktë i nxënësve në klasë dhe tjetra aktivitetet stagnohen pak a shumë sepse edhe numri më i paktë atëherë edhe aktiviteti duhet me qenë më i thjeshtë dhe jo shumë zgjeruar”, thotë ajo më tej.

“Është stagnimi tjetër që mos shoqërimi apo mos konkurrenca në klasa po stagnon edhe në mësimin më të madh apo interesimin më të madh tek nxënësit”, shton ajo.

Për ekspertin e arsimit, Rinor Qehaja kjo gjendje duhet të trajtohet me seriozitet nga institucionet e Kosovës.

“Emigrimi i brendshëm dhe ai i jashtëm kanë qenë faktor për boshatisjen e zonave rurale për tashmë vite me radhë. Ajo çka ne na mungon është një reagim institucional karshi këtij problem, pra është një neglizhencë e qeverisjes qendrore dhe lokale që do ta trajtonte këtë problem në mënyrë institucionale për të ofruar zgjidhje të këtij problemi që cenon mbarëvajtjen e procesit mësimor”, thotë Qehaja për KALLXO.com.

Sipas të dhënave të vitit 2020, së paku 13 shkolla dhe paralele të ndara fizike të shkollave janë mbyllur në katër vitet e fundit në Kosovë.

Ndërsa, sipas Agjencionit të Statistikave të Kosovës në nivelin fillor të arsimit nga viti 2017 e këtej, evidentohet se numri i nxënësve është pakësuar për më shumë se 10 mijë, me një mesatare prej 3 mijë e 360 nxënës më pak çdo vit.