Nëna dhe fëmija, Foto:Gentiana Ahmeti:KALLXO.com

Bankat e zbrazëta, fëmijët në shtëpi

Mijëra fëmijë në Kosovë janë duke qëndruar larg shkollave të tyre për shkak të grevës që është duke u zhvilluar në arsim.

Viti shkollor 2022/23 ishte paraparë të fillonte dy javë më parë, më 1 shtator për shkollat fillore dhe të mesme.

Nga Sindikata e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) vazhdimisht kanë bërë thirrje për takime me qeveritarët, por edhe pas takimeve në fundjavë deri sot nuk është arritur asnjë ‘marrëveshje’, ndërsa greva po vazhdon.

“Pas takimeve me Ministren(Arbërie Nagavci) vendime apo marrëveshje nuk kanë pas dhe kështu greva po vazhdon”- ka thënë Reshit Kushaj nga SBAShK-u.

Greva në sektorin publik ka filluar më 25 gusht. Sindikalistët ndër të tjerash po kërkojnë rritje të pagës prej 100 euro, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për Pagat

“Sindikata së pari ka kërkesën e dialogut social që të takohet me kryeministrin t’i shprehin kërkesat nuk do me thënë që kërkesat në plotëni, e cila është kërkesë e sindikatës për shkak se po duhemi me pas mirëkuptim karshi nxënësve dhe prindërve mundet mos me qenë ajo 100 euro për të cilën thotë qeveria që ‘kanë këmbëngul vetëm për 100’  dhe jo nuk është e vërtet ajo dialogu që do ta zhvillojmë mund të jemi më pakë se 100 euro, por nuk jemi në 50 euro”- ka shtuar Kushaj.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, më 11 gusht 2022 u ka bërë thirrje edhe një herë mësimdhënësve që të fillojnë procesin mësimor në shkolla.

Ajo e quajti grevën ‘hap ekstrem’ dhe sipas saj, nuk ka kurrfarë arsyeshmërie që ajo të vazhdojë në kushtet kur Qeveria ka bërë hapa.

“Greva, në formë të ndërprerjes së plotë të punës dhe pa kufizim kohor, është hap ekstrem që ndërmerret vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe nuk ka kurrfarë arsyeshmërie në kushtet kur Qeveria ka bërë disa hapa dhe ka ndërmarrë vendime të dinjitetshme për adresimin e kërkesave të parashtruara nga sindikatat” – ka shkruar ajo.

Këshilli i Nxënësve të Kosovës dhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve kanë bërë thirrje palëve në këtë proces të kenë konsideratë kryesore interesin më të mirë të fëmijës, të gjejnë një zgjidhje të përbashkët, pasi ndërprerja e arsimit dëmton më së shumti fëmijët.

Më 31 gusht 2022, Ministri i Financave Hekuran Murati kishte bërë të ditur se është bërë ekzekutimi i pjesshëm i pagave të punonjësve publikë, por, sipas tij, jo të gjithë i kanë marrë rrogat.

“Çdo person që ka qenë në grevë dhe vazhdon të jetë do trajtohet sipas nenit 18 paragrafi 1 të Ligjit për greva, i cili parasheh që pezullohet obligimi i dyanshëm. Pra, në njërën anë punëtori nuk ka obligim që ta respektojë kontratën e punës dhe punëdhënësi pezullon obligimin e pagesës. Për të gjithë ata që vazhdojnë grevën do trajtohen kështu”- ka deklaruar Murati.

Për këtë një ditë më vonë Rrahman Jasharaj nga SBAShK-u, kishte njoftuar se ka dorëzuar kallëzim penal kundër ministrit Murati.

“SBASHK-u e ka përgatitur dhe e ka dorëzuar në prokurori kallëzimin penal ndaj ministrit Murati. Buxheti i Kosovës është edhe me djersën tonë. Nuk e ka pru atë buxhet ai prej shtëpisë të vet. Ne nuk po i kërkojmë Muratit që pagën e vet t’ia japë mësimdhënësve, por buxhetin e popullit ndaja njerëzve që u shërbejnë popullit”- ka thënë Jasharaj.

Mësimdhënësit që nuk iu përgjigjën grevës

Thirrjes për grevë nuk i janë bashkuar disa mësimdhënës të cilët kanë vazhduar mësimin në objekte shkollore.

“Mësimi po vazhdon të mbahet në Kamenicë edhe në shkollat tjera kemi 17 mësimdhënës të cilët individualisht, pjesërisht po mbajnë mësim”- ka thënë Kushaj nga SBAShK-u.

KALLXO.com ka raportuar se shkollat e mesme “Ali Sokoli” dhe “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë kanë filluar vitin shkollor 2022/23 më 1 shtatori dhe mëismi është duke u zhvilluar në këto dy institucione.

Samir Shahini, drejtor i Arsimit në Fushë Kosovë ka bërë të ditur se të gjitha shkollat janë në grevë “Sipas konfirmimeve që kemi deri më tani të gjitha shkollat vazhdojnë të jenë në grevë”.

Drejtoritë e Arsimit në Ferizaj dhe Vushtrri kanë bërë të ditur se nga dy mësimdhënës janë duke mbajtur mësim.

“Një shkollë është prononcuar që nuk është në grevë për shkak të renovimit, shkolla “Naim Frashëri” dhe në një shkollë tjetër janë duke mbajt mësim dy mësuese, ndërsa shkolla tjera janë në grevë”- Miradije Maloku, drejtoreshë e arsimit në Vushtrri.

Bashkim Bytyçi nga drejtoria e arsimit në Ferizaj ka thënë se  “Vetëm dy mësimdhënëse janë duke punuar aktualisht, në shkollën fillore “Gjon Sereçi” dhe në shkollën fillore “Hajriz Muhadini në fshatin Dremjak”.

Ndërsa, në Mitrovicë të gjitha shkollat janë në grevë.

“Përjashto një mësuese ne shkollën Shaban Idrizi dhe dy mësimdhënës ne paralelen e ndare ne Koder të Minatorëve, “Aziz Sylejmani”- ka bërë të ditur Drita Kadriu, drejtoreshë e Arsimit.

Çmimi që paguajnë nxënësit për grevën