Bajrami: Mësimi online nuk arriti të kompensojë në tërësi mësimin në shkollë

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami tha se organizimi i mësimit online në mars të vitit të kaluar edhe pse në kohë rekorde, nuk mund të thuhet se ka kompensuar në tërësi mësimin në shkollë.

Në atë kohë, Bajrami ka qenë ministre e Arsimit në Qeverinë Kurti 1.

“Të gjitha dëshmitë, studimet në vendet e rajonit dhe më gjerë tregojnë se pandemia shkakton humbje të mësimit dhe përcillet me pasoja afatgjata negative”, tha ajo.

Në seancën e Kuvendit ajo shtoi, se është përgjegjësi e qeverisë që të hartojë strategji dhe programe për kompensimin e mësimit të humbur dhe zvogëlimin e pasojave që i ka shkaktuar pandemia.

“Arsimi nuk është në gjendjen që duhet të jetë”, tha deputetja e LDK-së.

Bajrami pati edhe një kërkesë nga Ministria, pas rënies së numrit të infektimeve me COVID-19.

“Ministria që nga dita e hënë të marrë vendim dhe mësimi të zhvillohet në objekte shkollore dhe me orar të plotë. Bjeni arsimin prioritet kombëtar”, tha ajo.

Kuvendi i Kosovës ka nisur sot vazhdimin e debatit parlamentar në lidhje me organizimin e arsimit në të gjitha nivelet në situatën e pandemisë COVID-19.