Aventura verore akademike në UP, sjell botën në Kosovë

Universiteti Veror i Prishtinës edhe këtë vit mblodhi studentë dhe profesorë nga e gjithë bota.

 

Ata thonë se kosovarët janë treguar mikpritës dhe të sjellshëm, andaj edhe synojnë që në të ardhmen, të kthehen për vizitë.

Drejtoresha e Universitetit Veror, Lumnije Bajrami tha për KALLXO.com se këtë vit rreth 400 studentë janë duke ndjekur aventurën akademike prej 17 kurseve.

Ajo thotë se kurset që mbahen në gjuhën angleze, përbëhen nga lëmitë e Ekonomisë, Juridikut, Inxhinierisë dhe Arteve.

“Janë përzgjedhur kurse shumë interesante, ato që do i veçoja e që janë risi i kemi në lëmin e artit, p.sh. Teatri Indian, në lëmin e inxhinierisë kompjuterike një profesor nga Japonia do të mbajë ligjëratë të hapur ku mund të marrin pjesë jo vetëm pjesëmarrësit e Unit Veror, por është e hapur për publikun. Kemi edhe një profesor nga Pakistani”, ka thënë Bajrami.

Profesori i njohur nga Japonia, Kohei Arai tha për KALLXO.com se kjo është hera e parë që vjen në Kosovë dhe se ishte ftuar nga Universitetit Veror për të marrë pjesë në këtë edicion.

“Jam shumë i kënaqur. Kualiteti i studentëve ndërkombëtar është shumë i lartë dhe ajo çfarë unë e kam gjetur të përbashkët mes Kosovës dhe Japonisë, është miqësia dhe mirësjellja në të dyja vendet”, ka thënë profesori.

Tronica Joab, është studente e cila vjen nga ishulli Pohnpei në Oqeanin Paqësor.

Ajo thotë se kishte përshtypjen se Kosova do t’i ngjante vendeve të Evropës Perëndimore, mirëpo sipas saj, kosovarët janë shumë më të sjellshëm.

“Këtu jam pa vizë sepse vendi im ka marrëdhënie diplomatike me Kosovën, prandaj pasi e zbulova këtë vend, përfundimisht do të kthehem”, tha ajo plot entuziazëm.

Nga Ishulli Nauru në verilindje të Australisë, ka ardhur studentja Jaala Jeremiah, e cila thotë se për Universitetin Veror, është informuar përmes ambasadës në Tajvan meqenëse është duke studiuar atje.

“Unë veçse kam mësuar shumë nga kolegët që vijnë nga këtu. Ata më treguan historinë e Kosovës dhe Shqipërisë, për të cilën ishte hera e parë që dëgjoja, kështu që ishte shumë interesante. Tashmë kam takuar shumë studentë ndërkombëtar, me të cilët kemi shkëmbyer informacion mbi vendet tona, andaj ishte interesante të mësoj për kultura të tjera”, tha ajo duke shtuar se planifikon të kthehet prapë.

Profesori pakistanez, Zulfiqar Ali Umrani thotë se Universiteti i Prishtinës është shumë prestigjioz, andaj edhe kishte vendosur të aplikojë sepse për Kosovën kishte dëgjuar në lajme gjatë luftës së vitit 1999.

“Ne si qytetarë të Pakistanit, ishim shumë të shqetësuar për njerëzit e Bosnjës dhe Kosovës sepse fundja jemi vëllezër dhe do të doja që të zhvillohen marrëdhënie më të mira me Kosovën në të ardhmen”, shtoi profesori.

Alvina Polyn Taloni, vjen nga Ishujt Solomon në jug të Oqeanit Paqësor dhe thotë se ka shumë bashkëvendës të cilët tashmë gjenden në Kosovë.

Mirësjellja dhe mikpritja e kosovarëve, kësaj studenteje i kanë bërë shumë përshtypje.

“Pasi të përfundojnë ligjëratat po pres që të marr certifikatën time, të kthehem dhe të gjej një punë më të mirë”, shtoi ajo.

Studentja nga Holanda, Fleur Diepstraten thotë se këtë universitet dy javor, ia kishte rekomanduar kolegia e saj kosovare, me të cilën është duke studiuar në Gjermani.

“I kam dy profesorë në kursin tim, njëri nga Kosova dhe tjetri nga Latvia. Ata janë ekspertë në këtë fushë. Gjithashtu po i kombinojmë informacionet për Kosovën dhe se si ata kaluan në një sistem më të qëndrueshëm të energjisë, kështu që po mësoj shumë për kulturën kosovare”, tha ajo.

Studentët kosovarë dhe rajonal,  aplikimin, akomodimin dhe ushqimin e kanë falas, ndërsa ata ndërkombëtarë paguajnë një tarifë prej 100 eurove.

Pos kurseve akademike, studentët ndërkohë kanë mundësi të shohin shfaqje të ndryshme, të vizitojnë muze, monumente dhe disa nga qytetet e Kosovës.

Në fund të Universitetit Veror, studentët do të testohen dhe katër kreditë e fituara të cilat  mund t’i transferojnë në Universitetin e tyre.