‘Avazi i vjetër’, edhe këtë vit shtyhet afati për SMIAL

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka marrë vendim për shtyrjen e afatit të Sistemit të Menaxhimit të Informatave të Arsimit të Lartë (SMIAL) për vitin akademik 2021/22 për nivelin Baçelor dhe Master.

Me këtë vendim u është mundësuar institucioneve të arsimit të lartë publik dhe privat që të dorëzojnë numrin e studentëve të regjistruar për këtë vit akademik përtej afateve të përcaktuar me Udhëzim Administrativ për sistemin SMIAL.

Për nivelin Baçelor sipas vendimit afati i shtyrjes është prej datës 1 tetor deri më 31 tetor. Ndërsa, për nivelin Master, afati i shtyrjes është prej datës 10 nëntor deri më 20 nëntor.

Nagavci po ashtu ka marrë vendim edhe për transferin dimëror në nivelin BA dhe MA, nga data 1 nëntor deri më 5 nëntor.

Kurse, afatet për dorëzimin e librave amë janë: Për nivelin baçelor prej datës 1 nëntor deri më 5 nëntor dhe për nivelin master nga data 21 nëntor deri më 26 nëntor.

Si dhe për dorëzimin e librit amë për transferin dimëror është prej 6 nëntor deri më 11 nëntor.

Në arsyetim të vendimit të ministres Nagavci, është përmendur një shkresë nga Departamenti i Arsimit të Lartë të datës 30 shtator, si dhe nevojën e shtyrjes së afatit të vendosjes së studentëve nga institucionet publike dhe private për vitin akademik 2021/22 si dhe për transferin dimëror.

Këtë vit, viti i ri akademik në universitetet publike është përmendur të fillojë më 15 tetor, për shkak të vonesës së funksionalizimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë për shqyrtimin e vendimeve për programet akademike në shumë institucione të arsimit të lartë. Për këtë ishin shtyrë dhe ishin bërë me vonesë shumë provime pranuese në fakultete të ndryshme.

Pothuajse një vendim të tillë e kishte marrë edhe ish-ministri i Arsimit, Ramë Likaj. Vetëm se ai e kishte marrë vendimin në muajin nëntor, ndërsa ministrja Nagavci në muajin tetor.

Sistemi i Menaxhimit të Informatave të Arsimit të Lartë (SMIAL) është një platformë e MAShTI ku institucionet e arsimit të lartë janë të obliguar t’i paraqesin të dhënat e studentëve të pranuar për vitin akademik.

Në bazë të Udhëzimit Administrativ për Sistemit dhe Menaxhimin e Informatave në Arsimin e Lartë (SMIAL), MASHT-i është përgjegjës i sistemit SMIAL si dhe përgjegjës në menaxhimin dhe grumbullimin e të dhënave nga bartësit e arsimit të lartë në Kosovë.

Poashtu, ky udhëzim administrativ ka përcaktuar edhe afatet për raportimin e të dhënave nga IAL-të. Për ciklin e studimeve Baçelor, IAL obligohen që të dhënat e studentëve t’i raportojnë deri më 30 shtator, për master 31 tetor, dhe për doktoratës 31 tetor dhe 15 mars.

Në këtë Udhëzim është paraparë edhe masa ligjore e tërheqjes së licencës, në rast se IAL-të nuk raportojnë të dhënat në afatet e përcaktuara.

Ministri i Arsimit shtyn afatin për regjistrimin e studentëve në SMIAL