Ministria e Arsimit dhe Shkences. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Auditori: MAShTI vonoi pagesat e faturave deri në një vit

Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit gjatë vitit 2021 ka pasur probleme me vonesa në pagesën e faturave.

ZKA ka thënë se vonesat kapin vlerën totale prej 1,051,478€  dhe ishin prej 13 ditë deri një vit, përtej afatit të përcaktuar ligjor.

“Në tetë  raste në vlerë 1,051,478€ kemi vërejtur se faturat nuk ishin paguar brenda afatit ligjor. Pjesa më e madhe e vonesave lidhen me kontratën “Blerja e licencave të pakos softuerike Gjuha Shqipe dhe Kompjuteri’”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Auditori ka thënë se vonesat në pagesën e obligimeve kishin ndodhur për shkak të mungesës së buxhetit dhe kontrolleve jo të mira në menaxhimin e obligimeve.

Sipas nenit 39.1 të ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, kërkohet që çdo faturë e vlefshme dhe kërkesë për pagesë për mallrat dhe shërbimet e furnizuara dhe punët e realizuara për organizatën buxhetore të paguhen brenda tridhjetë (30) ditëve kalendarike pas pranimit të faturës.

Sipas ZKA-së, vonesat në pagesën e faturave mund të krijojnë implikime buxhetore për vitin fiskal vijues, ku përveç pagesave të faturave Ministria mund të jetë edhe pjesë e padive nga Operatorët Ekonomik si rezultat i vonesave të mëdha në kryerje të obligimeve të saj.

Auditori ka rekomanduar që ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, duhet të siguroj që të gjitha faturat e pranuara të paguhen brenda afatit të përcaktuar ligjor prej 30 ditësh.