Auditori: Kurrikulat e profileve të arsimit profesional s’janë rishikuar nga viti 2013

Ministria e Arsimit dhe Shkencës është përgjegjëse për rishikimin e kurrikulave ekzistuese të profileve që ofrohen në arsimin dhe aftësimin profesional.

Por pavarësisht kësaj, kurrikulat e këtyre profileve nuk janë rishikuar që nga viti 2013. Kjo është një nga të gjeturat e Auditorit të Përgjithsëm, i cili ka theksuar se MASh ka bashkëpunar edhe me Agjencinë e Punësimit dhe Këshillin Ekonomik-Social dhe ka themeluar një grup punues në vitin 2019, por rishikimi i tyre ende nuk ka ndodhur.

“Rishikimi i fundit i plotë i kurrikulave ekzistuese të AAP-së është kryer në vitin 2013.  Në maj të vitit 2019, Ministria ka marrë vendim për emërimin e ekspertëve dhe koordinatorëve për rishikimin e kurrikulave për profilet përkatëse të AAP-së, fillimisht për klasat e X-ta. Rishikimi i këtyre kurrikulave ka qenë i paraparë për t’u përfunduar para fillimit të vitit shkollor 2019/2020 me qëllim që kurrikulat e rishikuara të fillojnë së zbatuari në profilet e AAP-së për klasat e X-ta”, thotë auditori.

Auditori shton se sipas po të njëjtit vendim, është paraparë që rishikimi i kurrikulave të profileve të AAP-së për klasat e XI-ta dhe XII-ta të përfundoj gjatë pjesës së dytë të vitit 2019, respektivisht fillimit të vitit 2020, por ministria nuk ka arritur afatet e parapara për rishikim të tyre.

“Ministria ka bërë rishikimin e të gjitha kurrikulave për klasat e X-ta. Pavarësisht kësaj, një pjesë e konsiderueshme e kurrikulave të profileve të AAP-së (ato të klasave të XI-ta dhe XII-ta) nuk janë rishikuar ende, dhe nuk pritet që të përfundohet me rishikimin e tyre deri në vitin 2021. Kjo tregon që Ministria nuk ka arritur afatet e parapara për përfundimin e rishikimit të të gjithë kurrikulave të AAP-së”, thotë auditori.

Zyra Kombëtare e Auditorit thotë se një prej shkaktarëve për mungesën e rishikimit të kurrikulave të profileve të AAP-së është mungesa e përkushtimit dhe veprimeve konkrete të Ministrisë për t’i kushtuar rëndësi dhe për të prioritizuar këtë sektor.

“Këtë gjë e dëshmon fakti që AAP-ja ende nuk ka kornizë të kurrikulave të veçantë dhe vazhdon të mbetet nën kurrikulën e arsimit parauniversitar. Kurrikula në fjalë është e përgjithësuar për tërë arsimin para-universitar dhe jo domosdoshmërisht i parasheh dhe rregullon nevojat e AAP-së në veçanti”, thotë më tej ai.

Gjithashtu, Auditori thotë se korniza e kurrikulave për Arsim dhe Aftësim Pofesional ekziston si draft që nga viti 2018, mirëpo deri më tani nuk është miratuar, gjë që tregon edhe për neglizhencën e institucioneve përgjegjëse kundrejt AAP-së.

“Shkaktarë për vonesat e fundit në rishikimin e kurrikulave të profileve të AAP-së, sipas informatave dhe dëshmive të pranuara nga personat përgjegjës në Ministri, është edhe vonesa në miratimin e grupeve punuese dhe ekspertëve përgjegjës për rishikimin e kurrikulave të AAP-së. Edhe pse listat e ekspertëve kanë qenë të gatshme që prej muajit qershor të vitit 2018, ato nuk janë konkretizuar me vendim dhe me aprovim të grupeve punuese deri në maj të vitit 2019”, thekson auditori.

Auditori ka theksuar se mungesa e rishikimit të kurrikulave në mënyrë të vazhdueshme, e sidomos mos rishikimi i tyre për 7 vite, bënë që një numër i konsiderueshëm i IAAP-ve të punojnë me kurrikula të cilat nuk përkojnë me nevojat bashkëkohore të tregut të punës.

“E gjithë kjo ndikon negativisht në sigurimin e vendeve të punës për nxënësit që diplomojnë nga këto profile, pasi që këto profile nuk janë në gjendje t’i pajisin ata me përgatitjen e duhur si dhe me njohuri të azhurnuara teorike dhe praktike që kërkohen nga tregu i punës”, ka thënë më tej ai.