Auditori: 167 persona u punësuan në MAShT pa asnjë procedurë

Gjatë vitit 2019, 167 punonjës të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ishin angazhuar me kontrata mbi vepër, pa asnjë procedurë të rekrutimit.

Kjo është një nga të gjeturat e Auditorit të bërë në raportin vjetor për këtë ministri, ku ka theksuar se në disa raste vetëm janë vazhduar kontratat për 6 muaj.

“Ne analizuam pesë raste të angazhimeve përmes MSHV-ve, dhe identifikuam se ato ishin realizuar pa zhvilluar procedura të thjeshtuara të rekrutimit. Stafi ishte i angazhuar kryesisht për pozita të rregullta të punës dhe kontratat ishin për personat e njëjta nga viti 2018 e tutje me nga 6 muaj, pra këto kontrata vetëm ishin vazhduar”, ka bërë të ditur auditori.

Auditori ka theksuar se kjo kishte ndodhur për shkak se nuk ishin marrë parasysh kërkesat ligjore në lidhje me procedurat e thjeshtësuara të rekrutimit që kërkohen me rastin e angazhimeve të tilla.

ZKA ka thënë se angazhimi i punonjësve me me kontrata mbi vepër, pa procedura të thjeshtësuara të rekrutimit kufizon konkurrencën dhe rrit rrezikun që përzgjedhja e stafit të jetë jomeritore dhe të bëhet në mënyrë jo transparente dhe si pasojë shërbimet e pranuara të mos jenë në përputhje me nevojat.

Auditori ka rekomanduar që ministri duhet të siguroj se për angazhimin e stafit për shërbime të veçanta zhvillohen procedura të thjeshtëzuara të rekrutimit, në mënyrë që procesi të jetë transparent.

Në anën tjetër, sipas Ligjit Nr.03/L-149 për Shërbimin Civil (nenit 12 pika 4), emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se gjashtë muaj do të bëhen në bazë të kontratave të quajtura “Marrëveshje për shërbime të veçanta” të cilat i nënshtrohen Ligjit për Detyrimet dhe për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës gjatë vitit 2019 ishte udhëhequr nga Qeveria PAN, ku ministër ishte Shyqiri Bytyqi nga Nisma Social Demokrate, i cili më pas kishte kaluar në partinë PSD.

KALLXO.com kishte raportuar për disa punësime në këtë ministri.

‘Ndarja e kulaçit’, problemet në proceset e rekrutimit

.