Logo e Universitetit të Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Arsimi i lartë merr në duar luftimin e dezinformimit në Kosovë

 Në kohën kur gazetarët janë disa nga punëtorët që po qëndrojnë në front brenda luftës me pandeminë e virusit COVID-19, shpërndarja e lajmeve të rreme në këtë kohë krizë është parë si ndër shqetësimet më të mëdha për mirëqenien publike.

Në fillim të muajit mars, kur shumica e vendeve të Ballkanit tashmë kishin raste të infektuara me coronavirus dhe të tillë nuk ishin lajmëruar në Kosovë, në media veçse kishte filluar shpërndarja e lajmeve të pa konfirmuara mbi të infektuar.

“Shënohet rasti i parë i infektuar me koronavirusin, në Kosovë”, ishte titulli i lajmit që u publikua nga disa media më 11 mars.

Ky lajm u demantua brenda ditës nga institucionet përgjegjëse ndërsa disa prej mediave që e kishin publikuar lajmin e fshinë më pas.

Ndërkaq rastet e para të konfirmuara me virus u lajmëruan dy ditë më pas, më 13 mars.

Kohët e krizave si kjo me virusin janë treguar pasqyrë e skenës mediale dhe nevojës për edukim masiv medial.

Edukimi medial si tërësi dhe luftimi i lajmeve të rreme si fushë specifike është në agjendë tash shumë vite brenda institucionit të vetëm publik të arsimit të lartë në Kosovë mbi gazetarinë.

Këtë lloj edukimi e sheh si të domosdoshëm në këtë kohë, Muhamet Jahiri, Profesor Asistent në  Degën e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

“Sot, është obligative dhe emergjente që në sistemin arsimor të vendit të kemi shtrije të mësimit për edukimin medial, i cili do të ndihmonte të rinjtë që të dinë t’i përdorin mediet dhe rrjetet sociale në favor të tyre. Problemet e sotme sidomos tek brezi i ri vijnë si rezultat i përdorimit të gabuar të rrjeteve medieve të reja, dhe kjo gjë është evidente se po ndikon në formimin e tyre, sjelljet e tyre dhe rezultatet në mësim”, deklaron ai.

Muhamet Jahiri, Profesor Asistent në Universitetin e Prishtinës, Departamenti i Gazetarisë

Sipas Jahirit, ky program ofron lëndën e edukimit medial por gjithashtu po punon në vazhdimësi për t’i përmbushur studimet me më të rejat e fundit të fushës që po ndërrojnë së bashku me evoluimin e teknologjisë.

“Programi aktual ka qenë i akredituar në vitin 2014, ndërkaq programi i cili është në proces të akreditimit, dhe pritet të filloj nga tetori i këtij viti, është shumë më i kompletuar në raport më sfidat e gazetarisë dhe komunikimit, në kohën e sotme”, tha Jahiri.

Por, edukimi i studentëve të gazetarisë mbi lajmet e rreme dhe sfidat moderne të gazetarisë, sipas Jahirit nuk është misioni i vetëm i kësaj dege.

Ai ka treguar se për mbi 10 vite janë përpjekur që lëndën e edukimit medial ta fusin si lëndë mësimore në shkolla.

“Ndër tjera, si Departament, duke dhënë kontribut në këtë drejtim, në mbështetje të SBASHK’ut, kemi filluar një cikël masiv të trajnimit të mësimdhënësve në fushën e Edukimit medial, përmes të cilit, ata do të punojnë më  nxënësit në këtë drejtim, në leksione të caktuara, por edhe për t’iu nidihmuar atyre në zhvillimin e mendimit kritik”, shton profesori.

Revista e studentëve mbi edukimin medial merr njohje ndërkombëtare

Më 20 shkurt të këtij viti, disa studentë të gazetarisë publikuan revistën e quajtur “Intro”, të specializuar në edukimin medial.

Në mars, kjo revistë është bërë pjesë e platformës më të madhe të Evropës Juglindore për edukimin mbi medien dhe informacionin “CIMU SEE”.

Çështja e lajmeve të rreme ka marrë një vend të veçantë edhe brenda kësaj reviste, sipas Asistentes Gentiana Paçarizi që punoi për së afërmi me studentët në punimin e revistës.

Gentiana Paçarizi, Asistente në Degën e Gazetarisë në Universitetin e-Prishtinës

Paçarizi, është edhe Konsultente e Edukimit mbi Median dhe Informacionin (EMI)

Nuk po e ekzagjeroj kur them se e gjithë revista e ka pasur në fokus dezinformimin. Meqë të gjitha temat e trajtuara janë ngushtë të ndërlidhura me çrregullimin e informacionit, mund të them që të gjitha trajtesat përbrenda revistës i kanë shërbyer ‘luftës’ me këtë fenomen”, tha ajo.

Ajo megjithatë konsideron se përpjekja për të siguruar qasje kritike ndaj informacionit në përgjithësi dhe edukimit medial është proces..

“ Dezinformimi s’është fenomen i ri dhe as problemi kryesor. Fenomeni i çrregullimit informativ është rezultat i mungesës së shkathtësive kritike, andaj duhet punuar me thelbin, i cili shkon më thellë se thjesht përcjellja e disa aftësive teknike te qytetarët për identifikimit e dezinformatave si burimi i informacionit, domain-i, autori, etj”, thotë Paçarizi.

Ajo thekson se mediat nuk duhen të shihen si burim i vetëm i dezinformimit pasi kjo çon në krijimin e armiqësisë së audiencës karshi mediave.

Reita Demi, studente e vitit të tretë në Departamentin e Gazetarisë ka shkruar një artikull në revistën studentore në qasjet që janë krijuar nga konsumuesit e medias dhe informacionit, si pasojë e ‘tejngopjes informative’ që po i jep mundësi zhvillimi teknologjik.

Reita Demi, studente e vitit të tretë në Departamentin e Gazetarisë ka shkruar një artikull në revistën studentore në qasjet që janë krijuar nga konsumuesit e medias dhe informacionit, si pasojë e ‘tejngopjes informative’ që po i jep mundësi zhvillimi teknologjik.
“Qëllimi i qasjes protektioniste është që konsumuesi të krijoj qëndrim mbrojtes kundrejt përmbajteve mediale… dhe t’i sheh mediat si ‘armike’. Ndërsa qasja fuqizuese e inkurajon konsumuesin e mediave, t’i përdorë mediat, t’i analizojë, të lexojë sa më shumë burime rreth një informacioni”, shpjegon studentja.
Reita Demi, Studente e Gazetarisë

Ajo i ka bërë thirrje edhe medieve që të luajnë rolin e tyre në edukimin e popullatës mbi dukurinë e dezinformimit.

“Roli i medias parasëgjithash është edukimi i qytetarëve, dhe detyrë e medias është që t’i servojë publikut përmbajtje profesionale dhe etike. Nëse mediat vazhdojnë duke e edukuar masën rreth dukurive të dezinformimit, atëherë edhe vet publiku do të reagoj kundrejt përmbajtjeve dezinformuese, duke mos i ndjekur/shpërndarë ato”, thotë ajo.

Përpos nevojës së studimit të thellësishëm mbi edukimin medial për studentët e fushës së gazetarisë, këta studentë dhe stafi akademik i kësaj dege konsiderojnë se kjo degë dhe studentët duhet të marrin rolin  e ambasadorit për rritjen e vetëdijes mbi edukimin medial në rrethin e ngushtë dhe më të gjerë shoqëror.

Artikulli u publikua fillimisht në Portalb.