Vazhdon publikimi online i Testit të Maturës

Nxënësit të cilët nuk patën mundësi që të kalojnë Testin e Maturës në afatin e parë, sot e kanë mundësinë e dytë që të kalojnë këtë test.

Edhe në këtë afat, njësoj si në afatin e parë, nxënësit janë përkujdesur që pyetjet e testit t’i publikojnë online.

Ata po i postojnë pyetjet me përgjigje, por edhe duke kërkuar përgjigje për to në grupin e hapur në Facebook të quajtur Testi i Maturës 2019.

Nxënësit po ashtu kanë krijuar edhe një grup në Viber, të cilin e kanë titulluar Testi i Maturës-Gusht.

 

KALLXO.com ka kontaktuar kryetarin e Komisionit Shtetëror të Maturës, Fehmi Hysenaj, i cili tha se do të identifikohen personat dhe do të bëhet anulimi i testit për ta.

“Ne do t’i marrim masat nëse ato publikime janë prej nxënësve dhe pastaj si raste do t’i paraqesim tek organet kompetente. Do të shikohen  nxënësit nëse janë nëpër lista dhe automatikisht do të ju hiqet rezultati”, tha Hysenaj.

Në afatin e parë të këtij testi kalueshmëria e testit ishte 64.64%, si dhe  janë larguar 270 nxënës, kurse për 8 administures janë marrë masa.

Pavarësisht se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kishte paralajmëruar masa të rrepta për Testin e Maturës, edhe këtë vit ky test ka rrjedhur online.

Forma e re e Testit të Maturës, e ‘pa nevojshme’

.