Prinderit duke shoqeruar femijet e klasave fillore ne diten e pare te vitit te ri shkollor, per nxenesit e ciklit te ulet dhe atij te mesem, ne Shkollen e Kuqe, ne Tirane. Foto: LSA
Subvencionimi i teksteve shkollore, MASHTI: Janë ekzekutuar mbi 81 mijë pagesa
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) përmes një njoftimi ka bërë të ditur se deri më sot [20.08.2024] janë bërë 151 mijë aplikime nga ana e prindërve për subvencionim të teksteve shkollore nga klasa 1-9, derisa janë ekzekutuar mbi 81 mijë pagesa.
MASHTI në njoftim thekson se asnjë nxënës nuk do mbetet pa tekste shkollore dhe se secili rast i adresuar do trajtohet dhe ofrohet ndihmë.
“Po vazhdon aplikimi për subvencionimin e teksteve shkollore në Platformën e-Kosova. Deri sot kanë aplikuar gjithsej 151.080 prindër. Ndërkaq, lajm i mirë është se tashmë janë ekzekutuar 81.355 pagesat e para dhe po vazhdohet edhe me transfere tjera”- thuhet në njoftim.
Aplikimi i prindërve të nxënësve të klasave 1 – 9 për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore në platformën e-Kosova ka filluar nga data 14.08.2024.
Për prindërit e nxënësve të klasave 1 – 5 në vitin shkollor 2024/2025, Ministria e Arsimit njoftoi se do t’i subvencionojë me 80 euro për blerjen e librave dhe mjeteve mësimore, njësojë si vitin e kaluar.
Ndryshe nga viti i kaluar, Ministria e Arsimit do t’i subvencionojë edhe prindërit e nxënësve të klasave 6 – 9 për blerjen e librave dhe mjeteve mësimore, me nga 110 euro.
Qeveria e Kosovës i ka dedikuar 13,875,138 euro për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2024/2025.
Derisa, edhe këtë vit ka pakënaqësi dhe kritika për mënyrën e subvencionimit të librave pasi vitin e kaluar kur edhe nisi ky proces per here te pare, shumë nxënës kishin mbetur pa subvencionim, me theks, fëmijë që nuk i kanë prindërit shtetas të Kosovës, e që nuk kishin arritur të aplikojnë përmes platformës E-Kosova.