Ilustrim

Shkolla "Xhemail Mustafa" në Prishtinë nga e hëna në mësim online

Shkolla Fillore “Xhemail Mustafa” në Prishtinë nga dita e hënë deri më 31 janar do të kalojë në skenarin C (online) si shkak i numrit të madh të nxënëseve të prekur me COVID-19.

“Duke i parë rrethanat e krijuara në shkollë nga virusi COVID-19, numrin e madh të rasteve të nxënësve dhe mësimdhënësve të infektuar, TaskForca e shkollës ka marrë vendim që mësimi të vazhdojë me skenarin C (online) nga data 24.01.2022 deri me 31.01.2022”, është bërë e ditur në njoftimin e shkollës.

Tutje, shkolla potencon se mësimi online do mbahet në platformën E-shkollori.

Deri tani në Prishtinë sipas njoftimeve të shkollave përkatëse, në mësim online janë shkollat “Faik Konica”, “Ismail Qemali” dhe gjimnazi “Sami Frashëri”.

Sipas rregullave, nëse 5 % e numrit të përgjithshëm të nxënësve të një shkollë rezultojnë të prekur me COID-19, shkolla kalon në sistem online.

Evidentimi i rasteve te nxënësit po bëhet më shpejt pasi nga fillimi i kësaj jave shkollat e kryeqytetit janë furnizuar me teste të shpejta përmes pështymës që detekojnë infektimin me virus.

Këto teste po u bëhen vetëm nxënësve që kanë simptome si temperaturë, kollitje ose kanë pasur kontakte me dikë të prekur me COVID-19.