Nxënësit në Pejë përballen me mungesë të teksteve shkollore

Shkollat fillore të Komunë së Pejës po përballen me mungesën e teksteve shkollore të cilat janë premtuar se do të shpërndahen nga MAShT-i .

Procesi mësimorë ka filluar me 2 shtator dhe tani kanë kaluar dy muaj e gjysmë kur nxënësit vazhdojnë mësimin në mungesë të librave të nevojshëm.

Por ende nuk dihet kur do të pajisen nxënësit me të gjitha librat për vitin shkollor 2019/20.

KALLXO.com ka kontaktuar disa nga drejtorët e shkollave fillore në Pejë dhe drejtorin e Arsimit.

Shkollat fillore “Lidhja e Prizrenit” dhe “Asdreni” kanë konfirmuar mungesën e teksteve dhe kanë thënë se lista me librat e nevojshme është dërguar në Drejtorinë e Arsimit.

“Tekstet e reja janë dal po ka prapë mungesë, nuk janë kompletu të gjithë nxënësit”, ka thënë Agime Lajqi, drejtoreshë  e ShFMU “ Asdreni”.

Drejtoria e Arsimit në Pejë thotë se kërkesat e bëra për librat e kërkuar janë aprovuar dhe procesi i shpërndarjes së këtyre teksteve ka përfunduar në mesin e muajit shtator.

“Kërkesat që i kemi pasur janë aprovuar, me përjashtim të teksteve të cilat nuk i kan plotësuar kriteret për botim  dhe shkollat kanë qenë të obliguara t’ju sigurojnë  tekste të cilat i kanë kthyer nxënësit  që e kanë përfunduar klasën përkatëse”, ka thënë Shqipe Karagjyzi nga Zyra për Informim.

Në shkollën “Asdreni”, libri i Kimisë për klasën e 7 nuk është dërguar fare.

Në raste të tilla nxënësit në bashkëpunim me mësimdhënësit improvizojnë mënyra të reja nga interneti, me anë të fotokopjes ose me libra të vjetra.

Në fillim të procesit të shpërndarjes drejtori i Arsimit, Besim Avdimetaj, kishte thënë se janë furnizuar me të gjitha tekstet shkollore.

“Po, janë furnizuar të gjitha shkollat e Komunës së Pejës Javën e kaluar nga data 02.09.2019 deri më 06.09.2019 “, tha Avdimetaj.