Arbërie Nagavci: Synim kemi arsimin profesional që ta lidhim me tregun e punës

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka raportuar para Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport dhe Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, lidhur me shqyrtimin e Raportit të auditimit të performancës “Efektiviteti i ndërlidhjes së arsimit dhe aftësimit profesional me nevojat e tregut të punës”.

Mbledhja u përcoll me shumë debate nga anëtarë të partive të ndryshme.

Hykmete Bajrami, kryesuese e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, tha se duhet të bëhen sa më shpejtë reforma në arsim pasi shumë shkolla në Kosovë kanë në klasë pesë e më pak nxënës.

“Duhen reforma në arsim si dhe rishikim i kurrikulave arsimore. Kemi shumë shkolla në Kosovë që nëpër klasa kanë më pak se pesë nxënës, madje kemi edhe rënie të interesimit për profile shkencore”, tha Bajrami.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se synim kryesor i kësaj qeverie do jetë arsimi profesional dhe lidhja me tregun e punës.

“Një nga qëllimet tona jashtëzakonisht të rëndësishme janë shkollat profesionale, arsimi profesional dhe lidhja e tyre me tregun e punës, këtë arrijmë ta bëjmë me mjete, kurrikula, tekste, por sidomos me programin e praktikës”, tha Nagavci.

Ministrja para komisionit përmendi disa prej rekomandimeve që kishin dal nga raporti i performancës për vitin 2019.

“Raporti ka të bëjë me vitin 2019, ku janë dhënë shtatë rekomandime për MASHT-in, pjesa më e madhe e tyre kanë të bëjnë me rishikim të kurrikulave për shkollat e mesme, pajisja e laboratorëve dhe kabineteve për shkollat profesionale, rishikim lidhur me profilet që janë aprovuar në arsimin profesional dhe nëse ja kanë vlejtur, funksionalizmin e këshillit për arsimin profesional, gjë që ka ndodhur në vitin 2020”, shtoi tutje Nagavci.

Ajo tha se janë në proces të konkursit për tekstet e reja mësimore dhe gjatë këtij viti do të jetë në Kuvend edhe ky projektligj.

Lidhur me mosvijimin e mësimit të më shumë se 400 nxënëseve në Kamenicë për të cilët u kërkua mësim shtesë, ministrja tha se ky nuk ka qenë vendim politik, por obligim që të gjithë nxënësit në Kosovë kanë mësim të rregullt.

Anëtari tjetër i këtij komisioni Ardian Gola, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, po ashtu theksoi nevojën që të kthehet fokusi tek arsimi profesional.

Ai tha se është keq që të rinjtë janë edukuar me idenë për të pasur punë zyresh e administratash.

“Më vjen mirë që do monitorohen kurrikulat në arsimin profesional dhe vëmendja që pritet t’u kushtohet. Është ushqyer keq me idenë që të gjithë të kenë punë zyresh, burokracish, administratash dhe kjo normalisht ka sjellë disproporcion mes mundësive reale të tregut të punës”, tha Gola.