Arbërie Nagavci: Gjermania e konfirmon përkrahjen për arsimin në Kosovë

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka thënë se Gjermania do vazhdojë përkrahjen në fushën e arsimit.

Këto komente ministrja i bëri pas takimit me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ku theks të veçantë i ishte dhënë diskutimit për arsimin profesional.

“Gjendja në arsim dhe vazhdimi i bashkëpunimit me shtetin gjerman, me theks të veçantë në fushën e Arsimit Profesional, ishin tema të diskutimit gjatë një takimi që realizova me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde”, është shprehur Nagavci.

Sipas saj, ambasadori është zotuar për bashkëpunim në projekte të shumta, ku është diskutuar suksesi i të rinjve, programet e këmbimit të studentëve të Kosovës në Gjermani, bashkëpunimi me sektorin privat dhe tema tjera për zhvillimin e arsimit në Kosovë.

“Biseduam për sukseset e të rinjve tanë në mësim të gjuhës gjermane, për programet e këmbimit të studentëve të Kosovës në Gjermani, për projektet e reja që përkrahen nga GIZ, për modelet gjermane, austriake e zvicerane për zhvillimin e arsimit profesional në Kosovë, për bashkëpunim me sektorin privat dhe bizneset për realizimin e arsimit profesional dhe dual dhe të tjera tema me interes për zhvillimin e arsimit në Kosovë”, ka theksuar tutje Nagavci.