Gjykata e Apelit - Foto: KALLXO.com

Apeli kthen në rigjykim padinë kundër vendimit për kompensimin e orëve

Gjykata e Apelit e Kosovës ka vendosur në favor të SBASHK-ut në padinë lidhur me vendimin e Ministrisë së Arsimit për kompenzimin e orëve të humbura gjatë grevës së janarit.

Në aktgjykim ky rast i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe rivendosje.

Në arsyetimin e Gjykatës së Apelit, listohen një numër i madh i shkeljeve të cilat Gjykata Themelore i ka bërë gjatë vendimit në të cilin ka hedhur poshtë kërkesën e SBASHK-ut për anulimin e vendimit të orëve të humbura.

“Duke pohuar se gjykata e shkallës se parë me aktgjykimin e goditur me ankese ka bërë konstatim te gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, për faktin se vendimi i kundërshtuar i të paditurës jo që nuk është i bazuar ne ligj, por i njëjti nuk përmban as referencat e detyrueshme ligjore, të cilën gjykata nuk e ka cekur fare si deklarim te paditësit ne seancë”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Apelit.

Më 15 maj të këtij viti Gjykata në Prishtinë e ka hedhur poshtë si të pabazuar padinë e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës lidhur me vendimin e Ministrisë së Arsimit për kompensimin e orëve të mësimit që ishin humbur gjatë grevës.

Me 26 shkurt, MAShT-i kishte marrë vendim që të kompensohen orët e humbura, ku pas kësaj Sindikata e kishte paditur Ministrinë dhe si masë të sigurisë kishte kërkuar pezullimin e  vendimit, mirëpo kjo masë u refuzua nga gjykata.

Në janar të këtij viti, mësimdhënës nga Kosova të organizuar nga SBAShK kishin mbajtur grevë, në shenjë pakënaqësie me renditjen e mësimdhënësve në Ligjin për Paga.

Që nga ajo kohë, ministria dhe sindikata nuk janë marrë vesh lidhur me kompensimin e orëve të humbura, ndërsa një numër i vogël i shkollave kanë respektuar vendimet për mbajtjen e mësimit kompensues.