Anti-korrupsioni konstaton se Zenun Halili ka konflikt interesi në konkursin për rektor

Agjencioni Kundër Korrupsionit i ka dhënë të drejtë Komisionit Profesional të Universitetit të Prishtinës që kishte konstatuar se kandidati për rektor, Zenun Halili kishte konflikt interesi.

Komisioni Profesional në përbërje me kryetar Qerkin Berisha, Kurtesh Sherifi, Liridon Veliu, Qefsere Gjonbalaj dhe Gent Sallauka, kishte  eliminuar nga gara njërin nga kandidatët më të përfolur për këtë pozitë, Zenun Halili.

Halili, para se të kandidonte, e kishte lënë pozitën e anëtarit të Këshillit Drejtues të UP-së.

Arsyeja pse komisioni vlerësues e ka eliminuar nga kjo garë Halilin, ka qenë për shkak të kësaj pozite.

Komisioni ka theksuar se Ligji për Parandalimin e Konflikit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik tregon qartë për kufizimet e zyrtarit të lartë pas përfundimit të ushtrimit të detyrës publike.

Edhe pasi ishte marrë ky vendim, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës e dërgoi rastin e Halilit për opinion në Agjencinë Kundër Korrupsionit, duke bërë kështu që procesi i intervistimit të kandidatëve për rektor të zvarritet.

Dje, Agjencia Kundër Korrupsion i ka kthyer opinionin ligjor Kryesuesit të Këshillit Drejtues të UP-së, Ujkan Bajra.

Në vendimin që e ka siguruar KALLXO.com thuhet se Komisioni Profesional ka pasur të drejtë në konstatimin që e ka bërë.

“Pas analizës së hollësishme, duke filluar nga procesi i shpalljes së konkursit, procesi i vlerësimit të kandidatëve nga Komisioni profesional, pastaj përgjegjësitë dhe kompetencat e Komisionit Profesional dhe kriteret e konkursit, Agjencia kundër Korrupsionit konstaton se: Komisioni profesional ka shqyrtuar dhe ka vendosur drejtë për situatën konkrete dhe në harmoni të plotë me dispozitat e Ligjit për Parandalimin e konfliktit të interest”, thuhet në vendim.

KALLXO.com merr vesh se sot është duke u mbajtur mbledhja e Këshillit Drejtues ku edhe do të vendoset data e intervistimit të kandidatëve për rektorë.