Rektorati i UP-së | Foto: KALLXO.com

Agjencia Kundër Korrupsion nis hetime për 'luksin' e menaxhmentit të UP-së

Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) ka hapur hetime ndaj menaxhmentit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, për shtesat e larta, mëditjet dhe shpenzimet në udhëtime jashtë vendit që ata i kanë bërë.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com zyra për Informim e AKK-së, megjithatë nuk ka bërë të ditur se ndaj kujt janë hapur hetimet.

Sipas AKK-së hetimet janë duke vazhduar dhe vetëm pas vendimeve mund të publikohen të dhënat e tjera.

“Për veprimet pasuese të AKK-së, ju lutemi për mirëkuptimin tuaj por procesi i  trajtimit të rasteve nga AKK zhvillohet gjithnjë duke respektuar konfidencialitetin dhe mbrojtjen e të dhënave personale të individëve që janë objekt i trajtimit ose hetimit nga Agjencia, deri në rezultatet përfundimtare të procedurës së zhvilluar”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Në lidhje me këtë çështje, KALLXO.com ka kontaktuar edhe Rektoratin e UP-së për t’i pyetur nëse janë në dijeni rreth këtij hetimi dhe është duke pritur përgjigje.

Poashtu, KALLXO.com me 8 janar të këtij viti ka bërë kërkesë në UP në pasqyrën e shpenzimeve të udhëtimeve jashtë vendit gjatë viti 2019 nga stafi i UP-së si dhe listën e plotë të shteteve që janë vizituar dhe është duke pritur përgjigje.