Komuna e Kamenicës. Foto: Kallxo.com

107 nxënës në Kamenicë do t'i nënshtrohen testimeve klasore

Vendimi i kryetarit të Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, për riorganizimin ose ‘reformën’ në arsim, nuk ishte përkrahur nga banorët e fshatit Busavatë.

Ata kanë kundërshtuar ‘mbylljen’ e shkollës ‘Hasan Prishtina’ dhe transferimin e 107 nxënësve në shkollën ‘Fan Noli’ në Kamenicë.

Si rrjedhojë e kësaj, 107 nxënës të kësaj shkolle sipas Komunës së Kamenicës nuk e kanë ndjekur mësimin që nga shtatori i vitit të kaluar.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zyrtarët komunal kanë thënë që këta nxënës do t’i nënshtrohen provimit klasor.

“Janë 107 nxënës nga Busavata që nuk kanë mbajtur mësimin dhe për të cilët Drejtoria Komunale për Arsim do të organizojë provimet klasore pas regjistrimit të tyre ne ShFMU ‘Fan S. Noli’”, thuhet në përgjigjet e Komunës.

Iniciativa për riorganizimin e shkollave kishte filluar vitin e kaluar dhe ishte kundërshtuar nga të gjitha fshatrat e Komunës.

Në kuadër të këtij riorganizimi ishte planifikuar që cikli i ulët klasa 1-5 dhe cikli i lartë klasa 6-9 të ndahen në objekte të veçanta.

Pjesë e projektit kanë qenë 29 shkolla fillore dhe të mesme të ulëta . Shtatëmbëdhjetë (17) janë shkolla amë dhe dymbëdhjetë (12) janë paralele të ndara. Ndërsa në fazën e parë të riorganizimit janë shuar 4 shkolla.

Rezistencë karshi ‘reformës’ pati nga të gjitha anët, madje prindërit e fshatrave Topanicë e Koretin nuk lejuan që fëmijët e tyre të udhëtonin me autobus.

Për këtë Komuna e Kamenicës paditur 23 prindër, me arsyetimin që nuk janë kujdesur për shkollimin e detyrueshëm të fëmijëve të tyre, padi e cila më vonë është hedhur poshtë nga Gjykata Themelore në Gjilan.

Ndërsa ditë me parë Avokati i Popullit ka publikuar një raport i cili ka konstatuar se vendimet e kryetarit të Kastrati janë në kundërshtime me dispozitat ligjore dhe standardet e përcaktuara nga MASHT-i, duke kërkuar rishikim të vendimit.