Arrestohet sërish Fitim Lladrovci

Policia e Kosovës e ka arrestuar Fitim Lladrovcin, i cili ishte dënuar me burgim për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Lladrovci është arrestuar ndërkohë që kohë më parë është liruar nga burgu, ku kishte vuajtur dënimin prej 3 vjet e gjysmë burg.

Arrestimin e LLadrovcit e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe Daut Hoxha zëdhënës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës.

“Ju konfirmoj se më 24.04.2019 është arrestuar personi F. Ll., dhe i njëjti me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Speciale është dërguar në mbajtje për 48 orë. Rasti është duke u trajtuar në bazë të nenit 134 të KPK”, tha Hoxha për KALLXO.com.

Neni 134 i përmendur nga zëdhënësi i Policisë është për veprën penale – bashkim për veprimtari kundërkushtetuese.

Lladrovci më 23 janar të vitit 2015 u dënua me 5 vjet burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi akuzohej për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Në korrik të po të njëjtit vit Gjykata e Apelit i kishte ulur dënimin në 3 vjet e gjysmë.

Ai qe arrestuar më 26 dhjetor 2014, ndërsa një ditë më pas i ishte caktuar masa e paraburgimit.

Fitim Lladrovci akuzohej nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se disa herë udhëtoi drejt Sirisë gjatë viteve 2013-2014 për t’iu bashkuar organizatave terroriste “ISIS” dhe “Al-Nusra”.