Arrestohet polici për dhunë në familje, IPK rekomandon suspendimin

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se një polic është arrestuar si i dyshuar për një rast të dhunës në familje, ndërsa i ka rekomanduar Policisë së Kosovës që ta suspendojë atë.

IPK tha se përmes Policisë së Kosovës respektivisht stacionit policor të Fushë Kosovës gjatë ditës së djeshme ka pranuar informacione lidhur me dyshimin e përfshirjes së një zyrtari policor si i dyshuar në një rast të dhunës në familje.

“Hetuesit e IPK-së respektivisht Departamentit të Hetimeve kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes duke kontaktuar me viktimën e këtij rasti. Pas verifikimit të këtyre informacioneve nga hetuesit e IPK-së të njëjtit kanë ndërmarrë disa veprime hetimore në koordinim me prokurorin kompetent kurse viktima e këtij rasti është dërguar për trajtim mjekësor”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Tutje, sipas IPK-së, si rezultat i këtyre veprimeve hetimore në koordinim edhe me prokurorin e çështjes, gjatë ditës së djeshme me dyshimin se zyrtari policor i përfshirë në këtë rast ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, të njëjtit me vendim të Prokurorit kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“Gjithashtu, IPK-ja ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit për  zyrtarin policor tashmë të arrestuar si të dyshuar për rastin si më lart”, thuhet në fund të njoftimit.