Ilustrim
Arrestohet personi i katërt rreth rastit të dyshuar për abuzim seksual me të miturën në Drenas
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka vazhduar veprimet hetimore lidhur me rastin e Drenasit në konsultim të drejtpërdrejtë me Prokurorinë e Shtetit.
Në kuadër të këtyre veprimeve hetimore sot në orët e pasdites hetuesit e IPK-së arrestuan të dyshuarin e katërt në këtë rast.
I dyshuari me inicialet G.H. u arrestua nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprat penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare, keqpërdorim seksual duke keqpërdorur pozitën zyrtare apo profesionin dhe frikësim gjatë procedurës penale.
Bazuar në aktvendimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës të dyshuarit G.H. i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave tjera sipas Kodit të Procedurës Penale.
G.H. është personi i katërt që ndalohet në lidhje me rastin e abuzimit seksual të një të miture nga Drenasi.
Lidhur me këtë rast deri më tani janë ndaluar një zyrtar policor, një mësimdhënës dhe një mjek.