Një xhami | Foto-ilustrim

Arrestohet për Vjedhjen në Xhami

Një 16 vjeç me inicialet A. Xh. është arrestuar si i dyshuar për vjedhjen në xhaminë e fshatit Softaj të Ferizajt.

Lajmin e bëri të ditur për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt Agim Gashi.

“Pas një pune të suksesshme operative hetuesit e Stacionit Policor në Ferizaj kanë arrestuar personin  e dyshuar për kryerjen e veprës penale të vjedhjes të kryer ditë më parë në xhaminë e fshatit Softaj,” tha Gashi.

Sipas policisë, A.Xh. kishte hyrë me forcë në xhaminë e Softajt dhe nga ajo dyshohet se ka vjedhur pajisje teknologjike dhe të zërimit.

Policia bën me dije se ka gjetur dhe konfiskuar pajisjet që dyshohen se janë vjedhur.

A. Xh. dyshohet se ka vjedhur “një zmadhues zëri, një megafon, një laptop, dy kabllo për mbushës-adaptera, tetë mikrofona, një karrocë dore, një indeks, disa fletushka dhe dy trekëndësha”.