Arrestohet për ryshfet punëtorja e ShSKUK-së

Policia e Kosovës ka arrestuar sot në flagrancë një punëtore të Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, e cila i kishte kërkuar viktimës dhe nga ajo sot ka marrë ryshfet 400 euro për t’ia rregulluar disa dokumente mjekësore për përfitim të një pensioni si viktimë civile e luftës.

Në një njoftim të saj, Policia thotë se më 19.03.2019, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), konkretisht Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, ka pranuar informacionin se e dyshuara F.C., punëtore në ShSKUK ka kërkuar para në vlerë prej 400 euro nga viktima me qëllim që t’i rregullojë disa dokumente mjekësore, për përfitim të një pensioni si viktimë civile e luftës.

Si vazhdimësi e hetimeve nga Policia e Kosovës janë aplikuar masa të fshehta, për veprën  penale – marrja e ryshfetit.

“Pas një pune hetimore profesionale, me datë 02.04.2019, pasi e dyshuara (F.C.) është takuar me viktimën e rastit dhe nga ajo ka marrë shumën e parave në vlerë prej 400 euro për t’i rregulluar dokumentacionin e lartcekur, menjëherë pas marrjes së parave e dyshuara është arrestuar në flagrancë nga Policia e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Me vendim të prokurorit, e dyshuara e arrestuar dërgohet në qendrën e mbajtjes për 48 orë, për procedura të mëtejme ligjore.

Policia e Kosovës apelon te të gjithë qytetarët që rastet e tilla korruptive të raportohen pa hezitim tek organet kompetente, ku të njëjtat do të trajtohen me seriozitet dhe profesionalizëm të lartë.