Ilustrim

Arrestohet pasi Rrah Punonjësen e Lokalit të tij

Është arrestuar në Fier personi me inicialet E. M. i moshës 28 vjeçe, pasi u kap nga policia duke e rrahur në rrugë punonjësen e lokalit të tij.

Sipas njoftimit të Policisë së Shqipërisë, pjesëtarët e saj ndërhynë derisa E. M. po e rrihte punonjësen e lokalit të tij, duke parandaluar dhunën ndaj saj.

Më pas pjesëtarët e policisë janë sulmuar nga i arrestuari.

“Gjatë ndërhyrjes nga punonjësit e policisë për të parandaluar dhunën ndaj punonjëses së tij, shtetasi E. M. i ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë duke i goditur ata”, thuhet në njoftimin e policisë shqiptare.

Prokurorisë policia ia dërgoi materialet e këtij rasti nën dyshimin për kryerjen e veprës penale kundërshtimi me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik.