Arrestohet një serb për krime lufte në Nerodime

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar sot ka ndaluar një serb të dyshuar për krime të luftës në Nerodime të Ferizajt.

Në njoftimin e prokurorisë Speciale thuhet se sot në orët e pasdites me urdhër të prokurorit të kësaj prokurorie është lëshuar aktvendim për ndalim për 48 orë për një person të dyshuar, të nacionalitetit serb me inicialet Z.K.

Sipas Prorkurorisë Speciale, i dyshuari Z.K, dyshohet se ka kryer veprat penale të  krimeve të luftës në Kosovë, konkretisht në fshatin Nerodime e Epërme, Komuna e Ferizajt, gjatë vitit 1999.

Në një zhvillim tjetër, gjatë ditës së sotme, Gjykata e Prishtinës i ka caktuar paraburgim të dyshuarit SH.G për krime lufte kundër popullatës civile gjatë vitit 1999 në Klinë.

https://kallxo.com/i-dyshuari-per-krime-lufte-u-dha-5-minuta-afat-banoreve-te-largohen-nga-shtepite-ne-kline/

Kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit është parashtruar nga Prokuroria Speciale dhe sipas kësaj Prokurorie ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri SH.G, nё bashkëkryerje me tё pandehurit M.M, S.M, G.V, N.V, RR.G, H.G, G.G dhe XH.G, me datë 27.03.1999, në lagjen “Tikvesh” në Klinë, kishte marrë pjesë në vrasjen, plagosjen, rrahjen, maltretimin, djegien, plaçkitjen dhe dëbimin e popullatës civile.

Sipas Prokurorisë Speciale i dyshuari bashkërisht me personat e tjerë tё veshur me uniforma policore dhe ushtarake serbe e të armatosur, fillimisht përmes ultimatumit, banorëve të lagjes iu kishin dhënë afat kohor prej 5 minutave për lëshimin e shtëpive të tyre, e pastaj i kishin rrahur, maltretuar e therur me thikë banorët dhe po ashtu djegur shtëpitë e banorëve civil shqiptar, të cilët i kishin dëbuar prej lagjes së tyre.