Ilustrim

Arrestohet një Mësimdhënës nën Dyshimin për Pedofili

Është arrestuar një mësimdhënës në shkollën fillore “Nazim Gafuri”në Prishtinë nën dyshimin për pedofili.

Rastin për KALLXO.com e konfirmoi zëdhënësi i Policisë së Kosovës Agron Borovci.

“Është arrestuar nën dyshimet për pedofili, por rasti ka kaluar në Prokurori” u shpreh Borovci.

Nga ana tjetër Prokurori Imer Beka deklaroi se rasti ka shkuar në Prokurori dhe se me të është marrë prokurori kujdestar.

“Ka shkuar deri të kërkesa për caktim të paraburgimit”  u shpreh ai.

Prokurorja kujdestare Fikrije Fejzullahu tha për KALLXO.com se ka aktvendim për fillimin e hetimeve në rastin e mësimdhënësit të arrestuar.

“Jemi të obliguar që këtë rast ta dërgojmë në Departamentin për të Mitur, pasi [profesori] është arrestuar për  ngacmim të personave nën moshën 16 vjeçare.” u shpreh ajo.

Edhe drejtoresha e kësaj shkolle Adriana Makolli konfirmoi për KALLXO.com arrestimin e mësimdhënësit, por nuk deshi të komentojë arsyen e arestimit.

“ I arrestuar është, nuk e di tjetër çka ka ndodhë, me rëndësi është që në shkollë nuk ka ardhë që dy ditë, ”  u shpreh ajo.