Personi iArrestuar Ilustrim

Arrestohet në Vlorë kosovari i kërkuar për terrorizëm

Policia e Shtetit ka arrestuar në Vlorë shtetasin e Kosovës, F.D, i cili ka tentuar të kalojë kufirin shqiptar me dokument të falsifikuar.

32 vjeçari, F.D, ka qenë në kërkim për pjesëmarrje në grupe terroriste.

Drejtoria Vendore e Policisë Kufitare Vlorë në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë në Vlorë kanë kapur këtë shtetas pasi nga verifikimet e bëra në zyrën Qendrore Kombëtare Interpol Tirana rezultoi se shtetasi F.D, është shpallur në kërkim nga autoritet policore kosovare.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar urdhrin e kërkimit më datë 26.01.2018 kundrejt shtetasit F.D, për vendosjen e masës së sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Gjithashtu, ky shtetas është kapur në kushtet e flagrancës në Portin e Vlorës pasi ka tentuar të dalë nga Republika e Shqipërisë duke përdorur pasaportë të falsifikuar maqedonase të lëshuar në 2018”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.