Policia e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Arrestohet Komandanti i Stacionit Policor të Novobërdës

Hetuesit e Inspektoratit të Policisë së Kosovës (IPK) kanë arrestuar sot komandantin e stacionit policor në Novobërdë.

Përmes një komunikate, IPK njofton se zyrtari policor, me gradën toger, është arrestuar pas informacioneve për dyshime rreth përfshirjes në veprimtaritë penale: Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe ushtrim ndikimi.

Gjatë hetimit të këtij rasti hetuesit e IPK-së kanë grumbulluar dëshmi të cilat vërtetuan informacionet e pranuara dhe se në këtë rast janë implikuar edhe dy qytetarë të tjerë.

“Sot në orët e hershme të mëngjesit hetuesit e IPK-së kanë realizuar një plan operativ në rajonin e Gjilanit në kuadër të së cilit është zbatuar edhe urdhëresa e lëshuar nga Gjykata Themelore në Gjilan dhe janë bastisur tri lokacione si dhe janë konfiskuar disa prova materiale që do shërbejnë për procedurën penale të mëtutjeshme”, thekson IPK.

Me vendim të prokurorit të shtetit, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar dy të dyshuar (togerin policor dhe një qytetar) dhe të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore.

Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës edhe suspendimin e komandantit të këtij stacioni policor.