Klement Balili

Arrestohet Klement Balili, i shumëkërkuari për trafikim droge në Shqipëri

Policia e Shtetit gjatë ditës së sotme ka arrestuar Klement Balilin, njëri nga njerëzit më të kërkuar në Shqipëri për trafikimin ndërkombëtar me drogë.

Ministri i Punëve të Brendshme në Shqipëri, Sandër Lleshaj ka thënë se sot është finalizuar një operacion i gjatë, i ndërlikuar dhe shumë i rëndësishëm, për dorëzimin e Klement Balilit, pas një procesi operativo-gjurmuese, në bashkëpunim me shërbimin sekret shqiptar dhe me partnerët tanë.

“Nga sot, drejtësia shqiptare merr në duart e saj njërin prej personave më të kërkuar në Shqipëri dhe përtej saj, ndërsa qytetarët dhe partnerët e vendit tonë marrin, jo vetëm një lajm të rëndësishëm, por dhe një mesazh shumë të qartë për Shqipërinë që duam”, tha Lleshaj.

Sipas tij, arrestimi i sotëm është një rezultat shumë domethënës për drejtësinë në Shqipëri dhe një provë e qartë se Policia e Shtetit është në një nivel krejt të ri gatishmërie për t’u përballur në emër të ligjit e të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi.

“E gatshme dhe e aftë për të kaluar në një fazë të re dhe vendimtare në luftën kundër krimit të organizuar, Policia e Shtetit ka marrë sot një tjetër rezultat të merituar të një kapërcimi historik në mendësi dhe në aftësinë e saj goditëse”, tha Lleshaj.

Ministri theksoi se operacioni për arrestimin e Klement Balilit tregon se Policia e Shtetit dhe agjencitë e tjera me përgjegjësi për sigurinë e vendit dhe për zbatimin e ligjit, e dinë mirë se operacioni vazhdon dhe se forca goditëse e ligjit, gjerësia dhe thellësia e tij do të njohin intensitet të ri edhe me të tjerë që do të shkojnë prapa hekurave.

“Kam edhe një mesazh të qartë nga dita e sotme: Rruga e vetme, e arsyeshme, që mbetet për të gjithë ata që janë vënë përballë ligjit është vetëm bashkëpunimi me drejtësinë. Një tjetër rrugë më të mirë për ta nuk ka dhe nuk mund të ketë!”, tha ministri Lleshaj.

Në lidhje me arrestimin e Balilit, Lleshaj u pyet nga gazetarët nëse i njëjti është vetëdorëzuar.

“Për këdo që njeh sadopak punën operative gjurmuese dhe natyrën e operacioneve të tilla për ndalimin e personave të këtij karakteri, besoj do të jetë e qartë që kurrë nuk mund të ketë një dorëzim vullnetar të një personi të kriminalizuar në këtë nivel drejt stacioneve të policisë. Procesi është rezultat i një operacioni të gjerë dhe të thellë, të ndërlikuar, në bashkëpunim dhe me partnerë të Shqipërisë, të cilët kanë mundësuar që personi në fjalë të dorëzohet në Policinë e Shtetit”, tha ministri.

Lleshaj shtoi se të arrestuarit i kanë ofruar siguri të një procesi të drejtë ligjor.

Klement Balili është kërkuar ndërkombëtarisht për trafikimin me drogë.