Arrestohet Kastriot Shala, i kërkuar për shumë raste të grabitjeve

Policia e Kosovës sot rreth orës 15:30 ka arrestuar në Hajvali Kastriot Shalën, që kërkohej nga tetori i vitit të kaluar nën dyshimin për shume raste të grabitjeve.

Rastin për portalin rtv21.tv, e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

“Mund te konfirmojmë se pas hetimeve intensive dhe veprimeve profesionale të njësiteve policore, sot rreth orës 15:30 në Hajvali është arrestuar i dyshuari (K.Sh.) i cili ka qenë në arrati dhe në kërkim policor”, tha Kelani.

I dyshuari, sipas zëdhënësit të Policisë,  gjendej në një veturë të tipit Golf 7 në momentin kur është arrestuar nga njësitë policore.

“Vlen të potencohet se i dyshuari ka qenë në posedim të një arme me një karikator në brez si dhe një karikator e kishte brenda në veturë. Së bashku me të dyshuarin kanë qenë edhe dy persona, të cilët po ashtu janë shoqëruar në stacion policor. Të gjitha njësitet policore janë angazhuar për të ndërmarrë të gjitha veprimet e mëtutjeshme policore”, ka thënë Kelani.

https://kallxo.com/i-dyshuari-per-grabitje-qe-tallej-me-policine-arrestohet/

Policia e Kosovës që nga muaji tetor i vitit 2018 është në kërkim të Kastriot Shalës dhe Leutrim Latifit, ky i fundit është arrestuar më 16 prill të këtij viti./21Media