Dhuna në Kuvendin e Maqedonisë

Arrestohet ish-kryeparlamentari maqedonas, Trajko Veljanovski

Ish-kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Trajko Veljanovski dhe dy ish-zyrtarë të lartë të Qeverisë së kaluar janë arrestuar nga policia në bazë të një urdhri gjyqësor lidhur me ngjarjet e dhunshme në Kuvend, më 27 prill 2017.

Prokuroria Publike ka bërë të ditur se akuzat që rëndojnë mbi të ndaluarit, kanë të bëjnë me veprën penale “rrezikim të rendit kushtetuese”.

Trajko Veljanovski është deputet aktual i VMRO-DPMNE-së, kështu që ai pas marrjes në pyetje mund të lirohet, derisa komisionet e Kuvendit nuk vendosin për heqjen e imunitetit.

Vendimi për ndalimin e tyre vjen një ditë para se të përfundojë procesi gjyqësor kundër të akuzuarve për dhunën në Kuvend. Nga rreth 30 persona të akuzuar për ngjarjen e dhunshme të pushtimit të Kuvendit, disa prej kanë përfituar nga amnistia, ndërsa për një pjesë është duke vazhduar gjykimi.

Disa nga të pandehurit në dëshmitë e tyre kishin përmendur edhe emrin e kryeparlamentarit, Trajko Veljanovski si nga organizatorët e ndërhyrjes së protestuesve në Kuvend.

Por, Veljanovski këto pretendime i kishte mohuar duke thënë se ditën kritike ai kishte vepruar në përputhje me autorizimeve dhe se kishte bërë gjithçka për të mbrojtur deputetët nga sulmet e protestuesve.

Dhuna në Kuvend, sipas protestueseve dhe VMRO-DPMNE-së kishte ardhur në shenjë pakënaqësie nga zgjedhja e Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit, i cili kishte mbështetjen e LSDM-së, së kryeministrit aktual, Zoran Zaev.

Nga dhuna në Kuvend ishin lënduar shumë persona ndërsa më së shumti e kishin pësuar, Zijadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët dhe kryeministri Zoran Zaev, në atë kohë lideri i opozitës.