Ish-drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto. Foto: LSA

Arrestohet Ish-Drejtori i Burgjeve

Ish-drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto, u arrestua të martën me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale të korrupsionit pasiv.

Para arrestimit, Prokuroria mori miratimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila vendosi masën e “arrestit me burg” për Zoton.

Sipas një njoftimi të Prokurorisë, Zoto u arrestua në kuadër të një hetimi të nisur kohë më parë mbi tenderët e blerjes së ushqimeve në burgje, që i kushtoi prangat edhe zëvendësit të tij, Iljaz Labi.

Labi u arrestua më 11 korrik 2016 së bashku me administratorët e katër kompanive, që sipas Prokurorisë bënin marrëveshje për të kryer konkurrime fiktive në tenderët e furnizimit me ushqime, të kryera nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Prokuroria arriti të zbulojë se administratorët e kompanive “Dogel”, “Vllaznia”, “M.B.Kurti” dhe “Nelsa” takoheshin me njëri-tjetrin dhe binin dakord për pjesëmarrjen në tender, duke shkëmbyer informacionin dhe duke përpiluar dokumentet e pjesëmarrjes në prokurime, në mënyrë të tillë që të fitonte njëri prej tyre.

Gjithashtu sipas Prokurorisë, zv.drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, Iljaz Labi ka mbajtur kontakte, ka zhvilluar takime dhe ka kërkuar ryshfet nga dy administratorët, të paktën për njërin tender. Sipas Prokurorisë, ryshfeti i paguar kapte vlerën e 2 milionë lekëve.

Artur Zoto u emërua në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në vitin 2013 dhe qëndroi në këtë detyrë deri në korrik 2016. Zoto dha dorëheqjen katër ditë pas arrestimit të Iljaz Labit, me motivacionin e “pamundësisë së kryerjes së detyrës për shkak të arsyeve personale dhe familjare”.