Prokuroria në Prizren | Foto: KALLXO.com

Arrestohet i Dyshuari për Kërcënimin e Prokurorit në Prizren

“e pata vështirë të ju gjej, mirëpo nëse prindi juaj vazhdon me idiotizëm ju do të ndëshkoheni shumë keq, mos harro t’i bëni të fala edhe Besim Susurit m…, tash ta njoh edhe motrën o m… o m.. i m…”, këto ishin fjalët kërcënuese që kishin marrë familjarët e prokurorit të Prizrenit Besim Susuri.

Familjarët e prokurorit të Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë e Prizrenit Besim Susuri fjalët kërcënuese i kishin marrë nga një person i panjohur përmes rrjetit social më 7 qershor.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, pati reaguar duke shprehur shqetësim për kërcënimin që i është bërë prokurorit, një kërcënim që lidhje me punën e tij zyrtare.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Zejnulla Gashi, prokurori që po heton kërcënimin e kolegut të tij, tha se pas zhvillimit të hetimeve rreth kësaj kanosjeje kanë ardhur në përfundimin që ekziston dyshimi i bazuar se personi me inicialet E.Q. është i dyshuari për kryerje të kësaj vepre penale.

“Kemi zhvilluar dhe jemi duke zhvilluar të gjitha hetimet e mundshme rreth zbulimit të këtij rasti dhe të gjitha rrugët na drejtojnë tek i dyshuari E.Q. për të cilin konsideroj se ekziston dyshimi i bazuar për kryerje të veprës penale në fjalë”, tha prokurori Gashi.

KALLXO.com kupton se i dyshuari është i moshës 39 vjeç nga Komuna e Dragashit dhe i njëjti është arrestuar dhe ndaluar nga dita e djeshme në orën 9:40 minuta.

I pandehuri E.Q. dyshohet se më 7 qershor 2017, përmes rrjetit social Facebook dhe audio- incizimit u dërgon një SMS fëmijëve të prokurorit të shtetit, përkatësisht djalit të prokurorit.

Mesazhi kishte ngjallur frikë dhe ankth te të dyshuarit.

Prokuroria, të enjten ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit për kryerje të veprës penale të kanosjes nga neni 185 paragrafi 3 të Kodit Penal të Kosovës, për të cilën vepër parashihet dënimi deri në 5 vjet burg.

KALLXO.com kishte shkruar për kërcënimin e prokurorit Susuri dhe për reagimin e Këshillit Prokurorial në lidhje me këtë kërcënim.

http://kallxo.com/reagon-kpk-per-kercenimin-e-prokurorit-nga-prizreni/