Klinika Emergjente e QKUK-së - Foto: Facebook/UranIsmajli

Arrestohet drejtori i Urologjisë në QKUK për marrje ryshfeti

Burime të KALLXO.com kanë thënë se drejtori i klinikës së Urologjisë, Rexhep Kasumaj, është arrestuar nga policia për marrje ryshfeti.

KALLXO.com ka kontaktuar zëdhënësin e Policisë së Kosovës, Daut Hoxha në lidhje me rastin.

Sipas Hoxhës, policia ka marrë informatë nga një qytetar se i dyshuari po kërkonte para për kryerjen e disa shërbimeve mjekësore.

“Mund të ju konfirmoj se sot me datë 06.07.2018 rreth orës 10:20, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike pas pranimit të një informacioni nga një qytetar, ka ndërmarrë disa veprime policore në drejtim të hetimit të një personi mbi dyshimin e bazuar të përfshirjes në veprën penale marrje ryshfeti”, tha Hoxha.

Ai shtoi se si rezultat i veprimeve të shpejta të hetuesve policor, është arrestuar në flagrancë i dyshuari i cili dyshohet se nga një qytetar ka marrë para për t’i kryer shërbime mjekësore.

“Në cilësi të provave materiale kanë konfiskuar paratë, ndërsa pas intervistimit me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, shtoi Hoxha.