Ilustrim

Arrestohet dentisti, akuzohet se futi celular në burgun e Peqinit

Një dentist 50-vjeçar u ndalua nga policia pasi akuzohet se futi celuar në ambientet e burgut të Peqinit. Urdhër-ndalimi është lëshuar nga Prokuroria e Elbasanit bazuar mbi materialet e referuara nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje. Alfri K., u arrestua të enjten në zyrën e tij pranë Institucionit të Ekzekutimit të Vuajtjes së Vendimeve Penale (IEVP) Peqin.

Ngjarja ka ndodhur në 17 janar 2019, kur në njërin prej sektorëve të burgut është gjetur një celular. Nga hetimet rezultoi se “kishte të dhëna të mjaftueshme që celulari është futur nga një punonjës i burgut”. “Për këtë rast ka nisur një hetim i SHKBB që pasi ka mbledhur provat ka dërguar dosjen pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan”. Kjo e fundit ka vendosur ndalimin e 50-vjeçarit Alfri K., i cili punonte si stomatolog pranë burgut të Peqinit.

50 vjeçari pritet të dalë para gjykatës dhe deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk qe e mundur të kontaktohej me të apo mbrojtës të tij. Dentisti akuzohet për “Futje ose mbajtja e sendeve të ndaluar në ambientet e regjimit të burgimit nga persona, të cilët kanë për detyrë ruajtjen e tyre”.

I kontaktuar drejtori i Burgut Peqin Emin Shpata tha se ky fakt është zbuluar nga Shërbimet e Kontrollit të Brendshëm si “rezultat i kontrolleve të vazhdueshme që ushtrohen për të mos lejuar futjen e mjeteve të ndaluara në burgun e Peqinit”. “Ne vazhdojmë në mënyrë periodike kontrollet në ambjentet e burgut dhe jemi të vendosur të mos lejojmë të futet asnjë element i ndaluar në ambientet e vuajtjes së dënimit” tha Shpata për BIRN.

Ai tha se ky është rasti i parë i përfshirjes së një punonjësi të institucionit të vuajtjes së dënimit për futjen e sendeve të ndaluara. Më herët janë ndaluar familjarë e të afërm që tentojnë të fusin në burg mjete të ndaluara si celularët apo lëndët narkotike për të dënuarit. Në burgun e Peqinit vuajnë dënimin rreth 600 të burgosur. (reporter.al)