Foto: Ilustrim

Arrestohet 26 vjeçari, prezantohej si zyrtar i AKI-së me dokument të rremë

Policia e Kosovës gjatë ditës së sotme ka arrestuar një person të dyshuar për përfshirje në veprat penale prezantim i rremë si person zyrtar, spiunazh dhe falsifikim i dokumenteve.

Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë (NHKEK), pas një pune hetimore në teren, duke realizuar dhe aplikuar masat e fshehta të përgjimit të telekomunikimeve, ka ndaluar sot të dyshuarin  E.J., 26 vjeçar në Prishtinë.

Tutje në njoftim thuhet se i dyshuari, dyshohet se ka përpiluar një dokument të rremë  gjoja se është zyrtar në Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI) dhe  atë dokument e ka përdorur në kohën kur është ndalur nga Policia e Kosovës gjatë kontrollit rutinë,  duke i venë  në lajthim nën arsyetimin se është me detyra apo punë konkrete nga AKI-ja.

“Policia ka sekuestruar dokumentin e falsifikuar me të cilin ka vepruar dhe prezantuar në mënyrë të kundërligjshme apo  të rreme”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, pas përfundimit të gjitha veprimeve paraprake hetimore,  i dyshuari është intervistuar në cilësi të dyshuarit në prezencën e avokatit mbrojtës dhe me aktvendim mbi ndalimin nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ai është dërguar në mbajtje prej 48 orëve.

Policia ka njoftuar se do të vazhdojë të realizojë detyrat e saja kushtetuese e ligjore, të shtojë aktivitetet në luftimin e dukurive antiligjore, të mbajë rendin dhe sigurinë publike, të parandalojë dhe t’i zbulojë veprat penale.