Foto: Ilustrim

Arrestohen tre persona për grabitjen në filialin e 'Money Gram' në Ferizaj

27 vjeçari me inicialet A. N., 22 vjeçari R.Sh. dhe 19 vjeçari me inicialet V.L. janë arrestuar nga Policia për grabitjen e cila ka ndodhur më 28 korrik të vitit të kaluar në filialin e “Money Gram”, në rrugën “Bajram dhe Gursel Sylejmani” në Ferizaj.

Policia ka njoftuar se arrestimi i tre të dyshuarve është bërë gjatë ditës së sotme pas hetimeve intensive të hetuesve policorë të sektorit rajonal të hetimeve Ferizaj.

Policia ka njoftuar se të dyshuarit të maskuar dhe nën kërcënim të armëve nga punëtori kanë grabitur rreth 8 mijë euro duke u larguar më pas në drejtim të panjohur.

“Gjatë intervistimit, në prani të avokatëve mbrojtës, të dyshuarit kanë pranuar në tërësi veprën e kryer”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Të dyshuarve prokurori i shtetit ua ka caktuar masën e ndalimit për 48 orë.

“Dyshohet se të njëjtit kanë kryer edhe disa vepra të tjera të grabitjeve dhe vjedhjeve të rënda në Ferizaj dhe rrethinë ku janë duke u zgjeruar hetimet në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin e Policisë.