Autorët e dyshuar të vrasjes së biznesmenit tiranas – Foto: Screen Shot/Video

Arrestohen të Dyshuarit për Vrasjen e Biznesmenit në Tiranë

Sot në mëngjes strukturat e Hetimit të Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë finalizuan operacionin e koduar “Triss”, ku është bërë e mundur zbardhja e dokumentimi i autorësisë së ngjarjes së ndodhur më datë 14 shkurt në mbrëmje, në kryeqytet.

Lajmin e ka bërë të ditur në një konferencë për media drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Kastriot Skënderaj.

Sipas tij, ky operacion erdhi si rezultat i punës profesionale të pandërprerë, pas informacioneve të grumbulluara si dhe provave të administruara nga grupi hetimor.

Drejtori Skënderaj theksoi se si rezultat i hetimeve të deritanishme, rezulton se autorë të dyshuar të ngjarjes së ndodhur, ku u vra me armë zjarri shtetasi Memli Begalla, janë shtetasit: Denis D., 43 vjeç, banues në Tiranë dhe Ardian S., 49 vjeç, banues në Tiranë.

Për të dy këta persona janë ekzekutuar urdhrat e ndalimit.

Nga veprimet e dokumentuara rezulton se shtetasi Denis D. ka kryer ekzekutimin e shtetasit Memli Begalla.

Sipas drejtorit të Policisë, dyshohet se pista kryesore ku janë fokusuar hetimet është ajo e borxheve që nuk kishte shlyer viktima.

“Për arsye hetimore, nuk mund të bëjmë me dije të dhëna të tjera në lidhje me mekanizmin apo rolet si dhe përfshirjen e personave të tjerë në këtë ngjarje”, tha Kastriot Skëndera.

Ndërkohë, Policia e Shtetit ka publikuar video-pamje nga aksioni i arrestimit të të dyshuarve dhe pamje të kamerave të dy personave që dyshohen se e kanë kryer vrasjen.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një automjet me targa të huaja, me të cilin autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Gjithashtu është sekuestruar një automjet në pronësi të shtetasit Denis D., si dhe 9 telefona celularë.