Arrestimi i një të dyshuari - Foto: KALLXO.com

Arrestohen pesë persona për përfshirje në vepra penale fajde  

Policia e Kosovës ka arrestuar gjatë ditës së sotme pesë persona nën dyshimin për fajde, detyrim dhe mashtrim.

Sipas njoftimit të policisë, pas një hetimi nga Drejtoria për Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pas një hetimi të gjatë të iniciuar në fillim të vitit 2018, sot ka realizuar një operacion të gjerë policor i cili ka përfshirë rajonin e Prishtinës, Pejës dhe Gjakovës.

“Operacioni policor i koduar ,,DALLGA” ka filluar në orët e hershme të mëngjesit, nën mbështetjen e Njësive për Reagim të Shpejtë, ku target i veprimeve hetimore dhe bastisjeve kanë qenë shtatë lokacione, prej tyre pesë  në regjionin e Prishtinës, një  në regjionin e Pejës dhe një në regjionin e Gjakovës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve policore janë arrestuar pesë persona, I.O, 55 vjeçar, I.B, 50 vjeçar, A. Th, 40 vjeçar, M. M, 39 vjeçar, Rr. H, 40 vjeçar.

Ndërsa dy persona të dyshuar E. L, dhe Z. J, mbeten në kërkim policor.

Sipas policisë, personat e dyshuar janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer vepra penale ‘fajde’, ‘detyrim’ dhe ‘mashtrim’, të cilët vite më parë kanë pasur qëllim përfitimin në mënyrë të kundërligjshme – joproporcionale të pasurisë së paluajtshme dhe të luajtshme (dy shtëpi në Prishtinë, një objekt, automjete dhe para).

Vlera e përgjithshme e përfituar në mënyra kundërligjore dyshohet të jetë  mbi 2.5 milionë euro, ndërsa dëmi i përgjithshëm i shkaktuar dyshohet se tejkalon vlerën prej 6 milion euro.

Në cilësi të provave materiale gjatë operacionit policor janë sekuestruar para të gatshme prej 10 mijë e 250 euro, dokumente të ndryshme, kontrata të ndryshme të shitblerjeve, telefona (tre Iphone X, një Iphone X Max, një Iphone 8, një Samasung,dy Nokia ).

Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda dhe me aktvendim të tij, pesë personat e dyshuar tanimë të arrestuar dërgohet në mbajtje për 48 orë, ndërsa dy personat tjerë janë në kërkim policor.