Ilustrim

Arrestohen për ryshfet një gardian i SHKK-së dhe një zyrtar i Ministrisë së Diasporës

Dy persona janë arrestuar  për kryerjen e veprave penale ‘marrje ryshfeti’, ‘dhënie ryshfeti’ dhe ‘përvetësim në detyrë’.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Policisë, me datën 7 nëntor 2018, ka arrestuar dy persona nën dyshimin për marrje e dhënie ryshfeti dhe për përvetësim në detyrë.

Policia përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se personat e arrestuar janë: S. V.  i  komunitetit serb, Gardian i Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe P. M. zyrtar në Ministrinë e Diasporës.

“Të dyshuarit e arrestuar dyshohet se në bashkëpunim kanë kryer veprat e lartcekura, duke shkëmbyer (dhënien) e parave në shumë prej 3.000,00 (tre mijë euro) para të gatshme me qëllim që t’i mundësohet posedimi i telefonit një të paraburgosuri të nacionalitetit serb, i cili gjendet në Burgun e Sigurisë së Lartë”, njofton Policia.

PK-ja thotë se njësitet relevante policore janë duke kryer hetime intensive lidhur me këtë rast, duke përfshirë edhe hetimet ndaj mundësisë së organizimit të ndonjë tentim ikjeje të personit të paraburgosur në fjalë

“Ndaj të dyshuarve pas intervistimit dhe kompletimit të procedurave policore, me aktvendim të prokurorit iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh”, thuhet në komunikatë.