Policia e Shqipërisë - Foto: Facebook

Arrestohen në Flagrancë Inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit

Policia shqiptare ka arrestuar dy inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit – Korçë të dyshuar për veprën penale – shpërdorim detyre pasi favorizuan një shtetas tjetër të kalonte nga Maqedonia drejt Shqipërisë një sasi të konsiderueshme rrushi industrial, duke i përpiluar një raport fitosanitar për tjetërsimin e cilësisë të këtij produkti nga mall me akcizë në mall pa akcizë, me qëllim që të shmangte detyrimet doganore.

Më datë 09.10.2017, shtetasi V.T., u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë në aksin rrugor Qafë Thanë-Pogradec, duke transportuar me mjetin e tij tip furgon, një sasi prej 4600 kg rrush, të vendosur në 230 arka.

“Nga verifikimet e kryera dyshohet se shtetasi i mësipërm, ka falsifikuar deklaratat e origjinës së mallit pasi ka bërë shmangien e një sasie prej 2300 kg të kësaj sasie, si edhe ka ndryshuar varietetin e këtij produkti në praktikën doganore, duke mos e deklaruar se shërbente për prodhim industrial”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Në vijim të këtij rasti, dy inspektorët e AKU-së, shtetasit F.I. dhe D.Ç., duke qenë të planizuar me shërbim pranë degës doganore Qafë-Thanë, dyshohet të kenë shpërdoruar detyrën, pasi kanë përpiluar një raport fitosanitar duke tjetërsuar cilësinë e këtij produkti (ku sasia më e madhe e tij shërbente për prodhim industrial).

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjeti tip furgon dhe sasia e produktit.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprat penale – kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë, falsifikimi i dokumenteve dhe shpërdorimi i detyrës, kryer në bashkëpunim.